
Detaje të reja mësohen nga plagosja me armë zjarri në Kukës, ku u përfshi drejtori i shërbimeve të Bashkisë së qytetit dhe kushëriri i kryebashkiakut Albert Halilaj.
I plagosur me armë zjarri mbeti 29-vjeçari Elvis Halilaj, i cili u qëllua nga Zenel Muçmata me detyrë Drejtor i drejtorisë së Shërbimeve në Bashkinë Kukës.
Sherri ka nisur në vendin e quajtur “Sheshi i Agjensisë Bicaj” për motive të paqarta, ku Halilaj e ka goditur me grushta Muçmatën.
Më pas, Muçmata e ka ndjekur atë duke e arritur pranë banesës së tij. Aty ai ka nxjerrë pistoletën dhe e ka qëlluar një herë, plumb që e ka zënë në pjesën e fundshpinës, fatmirësisht pa i prekur organet vitale.
Mësohet se gjatë plagosjes, e pranishme ka qenë edhe nëna e Halilajt. Muçmata është ende në arrati, ndërsa Halilaj u transportua në spitalin e Prizrenit për mjekim të specializuar./korrieri