
Policia ka nisur një aksion blic në qytetin e Shkodrës, aksion i cili ka nisur që në orën 05:30 të mëngjesit të sotëm.
Mësohet se aksioni ka lidhje me masakrën e Dobraçit, por ende nuk ka informacion nëse ka persona të arrestuar apo shoqëruar.
Dy prej të dyshuarve në lidhje me atentatin ndodhen në burgun e Reçit. Izmir Sakicaj dhe Samuel Troshanit do u komunikohet mase e re në Burg për Dobraçin, pasi ndodheshin të arrestuar për vepra të tjera penale.
Ndërkohë dy të dyshuarit e tjerë nuk janë gjetur ende.
Sakicaj e Troshani u vetedorëzuan pak javë më parë pasi ishin në kërkim për ngjarje tjetër.
Kujtojmë se të vrarë në atentatin e Dobraçit mbetën Hamza Lici dhe miku i tij në automjet Arlind Bushati. Humbën jetën dhe një çift burrë e grua të cilët po udhëtonin me motor pranë makinës së viktimave në momentin e atentatit. Nga shpejtësia makina përplasi motorin dhe humbën jetën Bashkim dhe Flutura Basha.
Ngjarja dyshohet se është kryer nga një grupi i strukturuar kriminal, sepse pas ngjarjes u gjet një makinë e djegur në zonën Grudë e Re, e cila kishte dy automatik brenda që mendohet të jenë përdorur në atentat.
Dyshimet u ngritën edhe më shumë pasi në makinën e viktimave ishte dhe një person tjetër që i shpëtoi atentatit. Mendohet se ky është Ibrahim Lici, i shumëkërkuari i drejtësisë për vrasjen e Endri Mustafës, por se kjo nuk është vërtetuar ende.