
Kryebashkiaku Erion Veliaj po justifikohet dhe kërkon t’i faturojë vjehrrit të tij të ndjerë, Arben Xoxa, vilën në Qeret.
Në dosje ndodhet një fakt tjetër, i cili vërteton që vila në Qeret i përket çiftit Veliaj-Xoxa, sipas të dhënave të gjykatës.
Kjo tregohet përmes disa komunikimeve të zbardhura nga SPAK-u mes Ajola Xoxës dhe Driant Zenelit.
Ky konkluzion arrihet nisur edhe nga komunikimet e shtetasit Driant Zeneli me Ajola Xoxën, nga ku evidentohet qartë frekuenca e shpeshtë e kësaj të fundit, por edhe bashkëshortit të saj në këtë pronë.
Konkretisht, më datë 01.08.2021, ora 7:52 p.m., shtetasi Driant Zeneli i shkruan Ajola Xoxës:
Driant Zeneli-A të ka marrë malli për Qerretin? -Ne erdhem sot.
Ajola Xoxa i përgjigjet: Ajo aty në fund është shtëpia jonë.
Ndërkohë dy bashkëbiseduesit kanë shkëmbyer një foto nga ku rezulton se Ajola Xoxa i referohet banesës së saj duke thënë “ajo aty në fund është shtëpia jonë”.
Sipas SPAK-ut, nga fotoja, në pjesën ballore të saj në fund, duket qartë që bëhet fjalë për vilën objekt hetimi e cila ndodhet në Qeret dhe që Erion Veliaj pretendon se nuk është e tyre, por e vjehrrit të tij.
Më tej, rezulton një fakt me mjaft interes për hetimin dhe për provueshmërinë e pronësisë faktike të vilës nga bashkëshortët Veliaj-Xoxa.
Konkretisht, më datë 22.06.2024, ora 12:51 p.m., Driant Zeneli i shkruan Ajola Xoxeës: -Të hënën herët në mëngjes nisemi.
Ajola Xoxa përgjigjet: E lëmë kur të vish më mirë takohemi. Se më duhet të mbyll disa punë tani dhe ndërkohë Eri ka shkuar në Qerret dhe s’ka marre celesin.
Pra, nga përmbajtja e këtij komunikimi çelësat e vilës 4 disponohen nga çifti Veliaj – Xoxa.
Deklarimet e shtetases Ajola Xoxa në lidhje me vilën e ndodhur në Qeret, Kavajë, sipas organit procedues bien në kundërshtim të plotë me rrethanat e faktit si edhe deklarimet e shtetasve të tjerë, të cilët kanë dijeni për këtë vilë.
Ajola Xoxa bën deklarime të pambështetura në provat e tjera kur shprehet se me shpenzimet e mirëmbajtjes së vilës merret vetëm nëna e saj, kur në fakt, nga kontrolli i ushtruar më vendim të Gjykatës së Posaçme, janë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale, blloqe me shënime që dyshohet të jenë të shtetases Ajola Xoxa, në lidhje me elementë të veçantë të vilës.
Gjithashtu, në këtë banesë janë gjetur shënime që dyshohet të jenë të shtetases Valbona Xoxa, e cila shkruan se sipas porosisë së Ajolës ka bërë një sërë pagesash që lidhen me mirëmbajtjen e viles.
Po ashtu, në vilë janë gjetur tabela pagesash si p.sh. ato që lidhen me mirëmbajtjen e pishinës, në krye të të cilave është vendosur emri “Ajola”.