
Kryetari i Bashkisë, Erion Veliaj, është përpjekur dje nëpërmjet një fotoje të vjehrrit të tij të ndjerë, Arben Xoxa, të justifikojë vilën në Qerret.
Në fakt është e pajustifikueshme gjithçka që po bën. Një herë përdori lodrat e djalit të tij, pastaj kërkoi t’i gjenin fustanet e gruas dhe tani përdor vjehrrin e ndjerë me një foto të 2018.

Në fakt konflikti i interesit në marrëdhënien e Erion Veliajt me Gentian Sulës e “Agi Kons” është permanent.
Ne nuk kemi dashur t’i hyjmë biznesit dhe biznesmenëve, por marrëdhënia e “Agi Kons” me Erion Veliajn fillon në konflikt të pastër interesi nga viti 2016.
Dhe, si e tillë kjo marrëdhënie permanente zbardhet qartazi në vendimin e gjykatës. Dhe, sikur të jetë fotoja e vërtetë e 2018.
Erion Veliaj përpiqet ta mohojë vilën dhe t’ia faturojë vjehrrit të tij, por në fakt vetw ai në gjykatë tha “ajo njihet si vila e Erionit”.
Ndërkohë prokuroria ka mundur të hetojë dhe sigurojë pagesat për dy vila në Qeret për vilën 4A dhe 6A pa shkuar te faktet e tjera që vila 160 metër katrorë shkëmbehet me një apartament 100 e pak metër katrorë. Ngelet një diferencë prej 30 mijë eurosh që nuk është paguar kurrë.
Pagesat për dy vila në Qeret
Nga ana tjetër, kjo vila që ka një sipërfaqe më të madhe se apartamenti ka një truall rreth 500 metër katrorë dhe rreth 10 pagesa për të i ka bërë Erion Veliaj.
“Konstatohet se për vilën 4A dhe 6A, shtetasi Erion Veliaj paguan periodikisht një kuotë, në dukje tarifë administrimi, pagesë kjo që duket se nis nga muaji gusht i vitit 2020 dhe përfundon në 31.05.2021. Vila e emërtuar në atë kohë 4A i korrespondon objektit me numër aktual pasurie 1/647, Vol 29, faqe 103, ZK 3101, në pronësi të subjektit tregtar ‘Agi Kons’ sh.p.k., objekt në të cilin është ushtruar kontroll në zbatim të vendimit të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, Nr. 698, datë 05.12.2024.
Nga ana tjetër periudha në fjalë (gusht 2020) përkon me lidhjen e kontratës së lidhur mes ‘Agi Kons’ dhe Bashkisë Tiranë, me objekt ndërtimin e shkollës 9-vjeçare ‘Qazim Turdiu’, me nr. Prot. 25117/39 datë 29.09.2020. Vlera e përgjithshme e kontratës është 362,713,599 lekë (pa TVSH). Të gjitha faktet të para në unitetin e tyre provojnë dyshimin e arsyeshëm të bazuar në prova se kjo është vilë e fshehur e shtetasve Erion Veliaj dhe Ajola Xoxa dhe nuk është deklaruar në ILDKPKI pasi është rezultat i një përfitimi të parregullt që i është dhënë nga shtetasi Gentjan Sula në cilësinë e pronarit të subjektit tregtar ‘Agi Kons’ sh.p.k., shtetasit Erion Veliaj për shkak të detyrës së tij si kryetar i Bashkisë Tiranë.
Nga vitit 2016 e në vijim subjekti që ka dhënë përfitimin e parregullt ka përfituar procedura prokurimi dhe koncesioni në vlera të konsiderueshme nga fondet e Bashkisë Tiranë. Gjithashtu, shumica e kontratave të sipërmarrjes nuk kanë përfunduar efektet e saj përfshirë dhe kontratën e koncesionit. Disa nga procedurat e prokurimit janë përfituar pothuajse aq sa ka qenë fondi limit duke u skualifikuar të gjithë operatorët konkurrues përveç fituesit ‘Agi Kons’ sh.p.k.”, sqarohet në vendimin dhe faktet e zbardhura nga gjykata.
Konkluzionet e gjykates per vilen e Veliajt ne Qeret
Konkluzionet e gjykates per vilen e Veliajt ne Qeret
Nga ana tjetër, rezulton se Erion Veliaj ka probleme dhe rezulton me mungesë të burimeve të ligjshme për krijimin e pasurive sepse niveli i kursimeve dhe i shpenzimeve është më i lartë se totali i të ardhurave vjetore pa llogaritur shpenzimet e jetesës.
Mbështetur në deklarimin e bërë nga vetë shtetasi Erion Veliaj në këtë deklaratë pasurie, ky i fundit rezulton me mungesë të burimeve të ligjshme për krijimin e pasurive, sepse niveli i kursimeve dhe i shpenzimeve është më i lartë se totali i të ardhurave vjetore, pa llogaritur shpenzimet e jetesës.
“Kështu, totali i të ardhurave është 1.591.120 lekë, ndërkohë që totali i shpenzimeve vetëm për shtimin e të ardhurave të llogarinë bankare pranë Credins Bank Nr. 491825 dhe për shlyerjen e kredisë është: 2.013.204.88 (dy milionë e trembëdhjetë mijë e dyqind e katër pikë tetëdhjetë e tetë) lekë (1 292 364.88 lekë (kursim në llogari bankare + 720,840 lekë (shlyerje e kredisë).
Kjo bën që për këtë vit shtetasi Erion Veliaj të ketë mungesë të burimeve të ligjshme për të justifikuar krijimin e pasurive në vlerën 422, 084.88 lekë, duke mos llogaritur shpenzimet e minimumit jetik sipas INSTAT, e cila do ta thellonte edhe më tej bilancin.
Në këtë përfundim arrihet duke pasur parasysh faktin që në krijimin e llogarisë bankare nuk është deklaruar ndonjë burim tjetër që vjen nga të ardhurat e bashkëshortes. Pra, nga kontrolli aritmetik e logjik rezulton se kjo deklaratë pasurie është me probleme”, thuhet në vendimin e gjykatës.
Sa i përket apartamentit, sipas gjykatës, nga aktet e administruara, nuk ka asnjë të dhënë se si është bërë pagesa dhe nga praktikat e administruara nga institucionet shtetërore nuk gjendet kontrata e sipërmarrjes të vitit 2003. Për më tepër që shitësit në rastin konkret e kanë marrë cilësinë e investitorit më datë 14.07.2004-nga certifikatat e Regjistrimit si persona të tatueshëm. Pra, nuk ka asnjë gjurmë se si është bërë pagesa për blerjen e këtij apartamenti. Gjithashtu, nuk provohet që të jetë shitur ndonjë apartament nga prindërit e shtetasit Erion Veliaj që të ketë shërbyer si burim për blerjen e këtij apartamenti sikurse deklarohet në deklaratën e pasurisë.
“Në përgjigje të kërkesës Nr. 7642 Prot., datë 17.05.2024, të Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, ASHK ka kthyer përgjigjen Nr. 6591/1 Prot., datë 29.05.2024, nga ku ndër të tjera rezulton se shtetasi Erion Veliaj zotëron pasuritë: Referenca 022014, zk: 8150, nr. i Pasurisë 2/543+1-29, indeksi i hartës tr-n-13, vol: 50, faqe 34, pronari Erion Luan Veliaj dhe i pajisur me certifikatë për vërtetim të pronësisë nr. 581954, dt. 18.09.2013, nga ZVRPP Tiranë, Zk. 8150, nr. i pasurisë 2/543+1- 29, vol 50, faqe 34, lloji i pasurisë “apartament”, sipërfaqja 111.20 m2, pronësia Erion Luan Veliaj, adresa e pasurisë: Rr. “Hoxha Tahsim”, Tiranë, Shk 1, Kt 8, AP. 29. Ky apartament rivlerësuar në vitin 2013 me çmimin 12,810,240 lekë.
Këtë apartament shtetasi Erion Veliaj e ka blerë sipas kontratës noteriale Nr. 3405 Rep., dhe Nr. 1839 Kol., datë 12.09.2013, Notere Violeta Sulkaj, nga shitësit Agron Jaupllari nr. personal F80701165M, në cilësinë si investitor me NIPT-in: K41914803B (Person Fizik Agron Jaupllari) dhe Thanas Popa, nr. personal F90920192F, në cilësinë e investitorit me NIPT: K41914807K, si dhe Sulejman Hajdari, nr. personal E30807092H, në cilësinë e investitorit me NIPT K419148011.
Çmimi i shitjes së deklaruar nga palët në kontratë është 5,115,200 Lekë. Në kontratë parashikohet se “Blerësi deklaron se pranon ta blejë dhe se shuma e mësipërme është likuiduar plotësisht jashtë kësaj zyre sipas kontratës së sipërmarrjes që në vitin 2003”, theksohet në vendim.
Pasurite e Veliajt
As kompania, as Erion Veliaj nuk kanë mundur të nxjerrin një dokument të vetëm për të justifikuar vilën dhe konflikti i interesit është në një dekadë dhe kush di të lexojë e kupton mjaft mirë. Janë prodhuar koncesione dhe janë dhënë leje dhe prandaj është një konflikt i pastër i Erion Veliajt duke lënë mënjanë biznesin dhe duke u fokusuar te kryetari i bashkisë, i cili kërkon të hidhet përpjetë me justifikime kur në fakt e vërteta është aty dhe ai e di mjaft mirë. Ndoshta biznesmenët mund të vendosin të japin vila e pallate dhe t’ia falin një kryetari bashkie apo vjehrrit të tij për qejf, por kjo duhet deklaruar sidomos kur është në konflikt të pastër interesi. /cna.al