
Dy njerëzit e lidhur me manjatin turko-qipriot të lojërave të fatit, i vrarë në shkurt 2022, krijuan në Shqipëri kompaninë e cila zotëroi tregun e basteve online që në themelimin e saj.
“Universe Sh.A” pak kohë pasi u krijua, siguroi nga autoritetet shqiptare licencat për të operuar përmes markës “Bastarena”. Krahas “kopsitjes” së dokumenteve kompania nisi një fushatë agresive promocioni shoqëruar edhe me krijimin e një portali sportiv: eduasportin.com.
Kompania arriti të siguronte një licencë për lojërat elektronike në distancë, edhe pse në prokurorinë e Durrësit kishte nisur një procedim penal për pastrim parash pas referimit të transaksioneve të dyshimta nga autoritetet ligjzbatuese.
Një hetim nga OCCRP, “Shteg.org”, “Amphora Media”, “Times of Malta” dhe gazetarë nga dhjetëra shtete ka zbuluar dokumente, regjistrime online dhe dëshmi të drejtpërdrejta ku ngrihen dyshime se Ulash Utku Bozdogan (Ulaş Utku Bozdoğan), themelues dhe pronar i zinxhirit “Kebab Factory”, dhe Burak Bashel (Burak Başel), bashkëpronar i kafenesë “Food for Fit”, janë të përfshirë në perandorinë e Halil Falialit (Halil Falyalı) – manjat turko-qipriot i basteve.
Brenda më pak se një dekade, Faliali dhe familja e tij dyshohet se ndërtuan një rrjet të paligjshëm të basteve online në shumë shtete.
Këto operacione të paligjshme gjeneronin të paktën 80 milionë dollarë çdo muaj, sipas ish-drejtorit financiar, Xhemil Onal (Cemil Önal), i cili foli ekskluzivisht për OCCRP-në.
Onal tregon se ai personalisht derdhte rreth 15 milionë dollarë në pagesa “sponsorizimi” çdo muaj, kryesisht për zyrtarë të partisë në pushtet në Turqi dhe Qipron Veriore.
Krijimi i “Bastarena”-s
Më 4 maj të 2017-s Ulash Utku Bozdogan dhe Ilir Hasenbelli u takuan në një nga studiot e vogla noteriale, diku në Rrugën e Dibrës në Tiranë.
Bozdogan, shtetas turk, por që deklaron se jeton në zonën e njohur si Kodra e Diellit, dhe Iliri, shqiptar që përfaqëson një familje biznesmenësh nga qyteti i Durrësit, u bashkuan për të krijuar kompaninë “Universe”.
Bozdogani figuron si përfaqësues i “Universal Software Solutions” në dokumentet e themelimit të kompanisë. Ndërsa Hasenbelli përfaqësonte kompaninë e quajtur MAREN, dikur në pronësi të Ramazan Hasanbellit, i dënuar në Itali për trafik droge.
Pronar përfitues i “Universe” është Burak Basheli, të cilën e zotëron përmes “Universal Software Solutions” në Curacao.
Biznesi i kompanisë ishin lojërat e fatit për të cilat u licencua nga autoritetet në kulmin e aksionit të qeverisë Rama kundër bixhozit. Kompania filloi të operojë në tregun shqiptar përmes markës “Bastarena”.
Pak muaj pas themelimit të “Universe Sh.A”, qeveria Rama mori vendimin Nr. 684, datë 22.11.2017 për përcaktimin e kushteve dhe të kërkesave teknike që duhet të plotësojë subjekti për kategorinë “lojëra elektronike në distancë”.
Në janar të 2018-s, “Universe Sh.A” licencohet për ushtrimin e aktivitetit “Lojëra elektronike në distancë” dhe menjëherë pas kësaj nis dhe një fushatë marketingu që publikohet në të gjitha mediat sportive pa përjashtim.
Dokumentet tregojnë se kompania u licencua edhe pse organet ligjzbatuese kishin nisur një procedim penal me dyshimin e pastrimit të parave.
“Shteg.org” nuk mundi të siguronte më shumë të dhëna në lidhje me këtë procedim, por Autoriteti i Mbikëqyrjes së Lojërave të Fatit garantoi se licencimi i kompanisë është bërë në përputhje me ligjet shqiptare.
Në një kohë rekord kompania arriti të zërë tregun e basteve online ku, sipas deklaratave të Kryeministrit Edi Rama, në vitin 2017 tregu i basteve dhe i bixhozit qarkullonte një shumë prej 700 milionë eurosh.
Në të gjitha njoftimet që bënte në faqen e vet dhe mesazhet që u dërgonte lojtarëve, kjo kompani i mëshonte faktit që janë të vetëm në treg për bastet online.
Kompania reklamonte me krenari për veten se kishte “garanci shtetërore’.
“Duhet theksuar qysh në fillim se ‘Bastarena’ është shoqëria e parë dhe e vetme e licencuar në tregun e lojërave elektronike në distancë… Një ndër pikat më të forta që kjo kompani ka, është besueshmëria. Ajo i ka mëshuar fort këtij aspekti dhe te ‘Bastarena’ e thonë me plot krenari se janë e vetmja shoqëri online e besueshme me garanci shtetërore’, thuhet mes të tjerave në këtë shkrim-reklamë të kompanisë.

Dokumentet tregojnë se njerëzit që investuan 3.6 milionë euro në kompaninë shqiptare janë persona të lidhur me bizneset e Halil Falialit, i cili u vra me armë në vitin 2022. I njohur për stilin e tij luksoz të jetesës dhe lidhjet politike, ai gjithashtu dyshohet se drejtonte një perandori të gjerë të basteve të paligjshme online — një rrjet që, sipas ish-drejtorit të tij financiar, gjeneronte dhjetëra miliona dollarë në muaj.
Bozdogan dhe Bashel luajtën rol në regjistrimin, licencimin dhe zhvillimin e faqeve të dyshuara të paligjshme të basteve brenda rrjetit. Ndërkohë, Bozdogani përballet me akuzat se mbikëqyrte pagesat me kriptovaluta. Së bashku, ata dyshohet se ndihmuan në mbajtjen dhe zgjerimin e perandorisë së basteve online të sindikatës, duke përfituar nga mjedisi rregullator i Maltës.
Avokati i Bashelit tha se Bozdogani u emërua nga “Universal Software Solutions” si përfaqësuesi i saj ligjor në Shqipëri, me një autorizim të kufizuar të lëshuar për përgjegjësi të veçanta brenda Shqipërisë.
“Klienti ynë nuk ka asnjë marrëdhënie personale me Ulash Utku Bozdoganin,” tha avokati.
Avokati i Bashelit nuk i mohoi plotësisht lidhjet duke thënë se “në fazën e aplikimit të licencës, MAREN bleu programe (software) nga USS [Universal Software Solutions] duke transferuar 30% të aksioneve të “Universe” tek USS si pjesë e transaksionit” dhe “Universe” operoi nën licencën e saj për një periudhë të kufizuar prej tetë muajsh, katër prej të cilave ishin të drejtpërdrejta për zhvillimin e programit.
Në një kërkesë për koment në lidhje me pretendimet se kompanitë e licencuara të lojërave të fatit janë përdorur nga anëtarët e një rrjeti të paligjshëm të lojërave të fatit, Autoriteti i Mbikëqyrjes së Lojërave të Fatit tha se “nuk ishte në gjendje të konfirmonte ose mohonte nëse ndonjë subjekt apo individ ka qenë ose është nën hetim”, por theksoi se “kryen kontrolle të kujdesit të duhur për Pronarët Përfitues si dhe mbi drejtorët e të licencuarit dhe mbajtësit e funksioneve kryesore”. Nëse autoriteti konstaton se pronarët ose drejtorët nuk janë “të përshtatshëm”, mund të pezullojë ose anulojë licencat e tyre të lojërave të fatit dhe të paralajmërojë autoritetet e tjera”, deklaroi AMLF-ja.
Bozdoğan dhe Hasanbelli nuk iu përgjigjën kërkesave për koment.
Nga qebapi në Crypto



Slide 2 of 3
Pikat e “Kebab Factory” janë të shpërndara në Maltë dhe kafeneja “Food For Fit” në Sliema, e njohur për ushqimet e saj të shëndetshme me klientë besnikë. Megjithatë, pas sipërmarrjes së suksesshme të dy burrave që qëndrojnë pas këtyre bizneseve të njohura, fshihet një ndërmarrje më e errët: lidhje me një rrjet platformash të basteve online të lidhura me një sindikatë të dyshuar të paligjshme që qarkullonte miliarda euro.
Ulash Utku Bozdogan, themelues dhe pronar i zinxhirit “Kebab Factory”, dhe Burak Bashel, bashkëpronar i kafenesë “Food for Fit”, rezultojnë të lidhur me rrjetit e kompanive të Halil Faliali – manjat i lojërave të fatit turko-qipriot i lidhur politikisht dhe i vrarë në shkurt 2022.
Bozdogani dhe Bashel luajtën rol në licencimin e faqeve të dyshimta të lojërave të fatit brenda këtij rrjeti. Bozdogani, nga ana tjetër, përballet me akuza për mbikëqyrjen e pagesave me kripto-monedha. Supozohet se së bashku ata kanë ndihmuar në mbështetjen dhe zgjerimin e rrjetit, duke përdorur ambientin rregullator të Maltës në favorin e tyre.
Një burim qeveritar konfirmoi se lidhjet e Falialit me Maltën po hetohen nga autoritetet.
Në përgjigje përmes avokatit të tij, Basheli tha se “nuk ka pasur asnjë partneritet ose lidhje me Z. Halil Falialı në asnjë rrjet të dyshuar bastesh.”
“Bashkëpunimi i vetëm profesional me klientin tonë [Faliali] ishte kur kompania e tij lokale në Qipro, Cypbet, bleu program për dyqane offline nga kompania ime [e Bashelit] e bazuar në Qipro.”
Bozdogan nuk iu përgjigj kërkesave për koment. “Food for Fit” tha se pronari nuk kishte asnjë rol në biznes.
Sipas prokurorëve turq, Falialı supozohet të ketë ndërtuar një operacion të paligjshëm ndërkufitar të basteve online që përfshinte Maltën.
Falialı, i cili dikur ishte akuzuar në mungesë në SHBA për pastrimin parash të ardhura nga trafiku i drogës, u vra kur një breshëri armësh automatike u derdhën në makinën e tij.
Ai ishte i njohur si biznesmen dhe pronar i hotelit ”Les Ambassadeurs Hotel & Casino & Marina”, një resort luksoz në qytetin port të Kyrenias në anën turke të ishullit të ndarë.
Por pas dritave të shkëlqyera, ai dhe bashkëpunëtorët e tij supozohet se drejtonin një operacion të gjerë të basteve të paligjshme që gjeneronte të paktën 75 milionë euro në muaj, sipas ish-drejtorit të tij të financave, Xhemil Onal, i cili foli për OCCRP-në nga një burg në Holandë, ku po lufton kundër ekstradimit në Turqi.
Prokurorët turq ngritën akuza kundër Onalit për krijimin e një grupi kriminal për pastrimin e parave të fituara nga baste të paligjshme. Në janar 2023, me kërkesë të Turqisë, Interpoli lëshoi një urdhër arresti duke e përshkruar Onalin si “një nga organizatorët” e vrasjes së Falialit. Onali e mohon akuzën dhe thotë se u vendos në target nga ryshfeti që ata paguanin për informacionin komprometues që ai ka për individë të fuqishëm në Turqi dhe Qipron e Veriut.
Operacionet e lojërave të fatit online shpesh e shpërndajnë infrastrukturën e tyre duke regjistruar kompani në një vend dhe duke vendosur serverat në një vend tjetër, ndërkohë që lëvizja e parave bëhet përmes juridiksioneve të tjera në formën e cash-it ose kriptomonedhës, tha Jeremy Douglas, shefi i stafit dhe këshilltari për strategjinë në Zyrën e Kombeve të Bashkuara për Drogat dhe Krimin.
Vetëm dhjetë muaj pas vrasjes së Falialit, autoritetet sekuestruan rreth 40 milionë euro asete, ndërsa ministri i Brendshëm i Turqisë njoftoi një goditje ndaj rrjetit. Ai madje përmendi rolin e Maltës në një konferencë shtypi.
“Bastet virtuale, lojërat virtuale të fatit dhe kripto përbëjnë qarkullimin e parave në botë pa asnjë pengesë… Nga Ballkani në Maltë dhe Qipro, këto janë vendet ku [këto grupe] kanë bazat e tyre.”
Në dhjetor të vitit të kaluar, prokurorët turq ngritën akuza ndaj 250 personave, 35 prej të cilëve dyshohet se janë udhëheqës të rrjetit të Falialit, përfshirë gruan e tij Ozge Tashker Faliali (Özge Taşker Falyalı).

Onali thotë se Ozge drejton operacionet nga Dubai, ku gazetarët zbuluan se Ozgeja kishte blerë një duzinë pronash luksoze me vlerë rreth 58 milionë euro në vitin pas vrasjes së burrit të saj në Dubai.
Një raport konvencional nga hetuesit e krimeve financiare të Turqisë listoi rreth 100 portofolë kriptomonedhash të lidhura me rrjetin e Falialit, për të cilët gazetarët zbuluan se kanë marrë më shumë se 1.4 miliardë dollarë që nga viti 2018.
Onal thotë se portofolët ishin vetëm një pjesë e vogël e mijëra llogarive që rrjeti përdorte – një pretendim që është konfirmuar nga raporti turk.
Jeremy Douglas, shefi i stafit dhe këshilltari për strategjinë në Zyrën e Kombeve të Bashkuara për Drogat dhe Krimin, tha se operacionet e lojërave të fatit online shpesh e shpërndajnë infrastrukturën e tyre gjerësisht, për shembull duke regjistruar kompani në një vend dhe duke vendosur serverë në një tjetër, ndërkohë që lëvizin para përmes juridiksioneve të tjera në formën e parave në dorë ose kriptomonedhës.
Dokumentet kanë zbuluar praninë e rrjetit në Maltë, ku bashkëpunëtorët e Falialit në rrjetin e dyshuar të basteve të paligjshme, Ulash Utku Bozdogan dhe Burak Bashel, ndër të tjerë, kanë ndërtuar një rrjet të lulëzuar kompanish, duke përfshirë edhe biznese të mëdha të gastronomisë: zinxhirin e “Kebab Factory”, ku janë hapur shtatë pika në pesë vite, si dhe kafenenë më të sofistikuar dhe të fokusuar në shëndetin, “Food for Fit”, në Sliema, e cila gjithashtu ka degë në Kirenia, në Qipron Veriore.
“Food For Fit” u distancua nga Basheli, duke thënë se ai “nuk është i përfshirë në menaxhimin e biznesit tonë. Ai është vetëm një aksioner/investitor.” Basheli zotëron afërsisht 70% të “Food For Fit Malta”.
Me një aksion në sistemet e pagesave, programet dhe shërbimet për bizneset e lojërave të fatit dhe për vetë kumarxhinjtë, Burak Bashel është i pranishëm në të gjithë zinxhirin ushqimor dhe të lojërave të fatit dhe basteve.
Burak Bashel është pronar i pakicës i “Universal Software Solutions NV”, ndërsa Ulash Utku Bozdogan ishte përfaqësuesi i “Universal Software Solutions”, mbajtësi i licencës së etiketave “BeteBet” dhe “KolayBet”, dy prej shumë faqeve të basteve në rrjetin e pretenduar të lojërave të fatit të paligjshëm që janë në listën e zezë në Turqi, Latvia dhe Qipro. Ulash Utku Bozdogan ishte përfaqësuesi i “Universal Software Solutions” në Shqipëri.
Onali e përshkruan “Betebet” si sipërmarrjen e parë të Falialit në botën e dyshuar të paligjshme të lojërave të fatit online. “BeteBet” u përmend në dëshmitë e përfshira në aktakuzën turke të vitit të kaluar.
Për të hapur website të shumta nga Malta, Bozdogani përdori “Alpha Ratings Co. Ltd”, e cila u krijua si agjenci marketingu e filialeve në internet, si dhe një kompani tregtare dhe e pasurive të paluajtshme. Sot njihet si “Kebab Manufacturing Co. Ltd”.
Hüsnü Faliali, vëllai i Halilit, tha për “HalkTV” se vëllai i tij ishte zhvendosur në baste të paligjshme që në vitin 2004. Gazetarët identifikuan një faqe bastesh “ArtemisBet”, e regjistruar nga një bashkëpunëtor i Falialit, Ibrahim Tokkan, në vitin 2007. Faqja u bllokua nga autoritetet në Turqi në 2017 dhe në Poloni.
Tokkan, i cili është paditur si menaxher i dyshuar i rrjetit të paligjshëm të basteve, regjistroi faqe në familjet kolaybet.com dhe betebet.com përmes “Total Gaming Solutions BV”, të lidhura gjithashtu me rrjetin. Detajet e pronësisë së “Betebet” ishin të fshehura nga viti 2012 deri në vitin 2019.
Për lidhjet e tij me “Betebet”, avokati i Bashelit tha se ligjet dhe kufizimet e licencimit ndryshojnë sipas juridiksionit dhe kompanitë që operojnë nën një licencë në Curaçao janë përgjegjëse për të siguruar përputhjen me ligjet lokale në rajonet ku ato operojnë. Ai shtoi se “Universal Software Solutions” u shet programe kompjuterike bizneseve dhe nuk merret drejtpërdrejt me përdoruesit përfundimtarë të faqeve të basteve.
“BeteBet” u përmend në dëshmitë e përfshira në aktakuzën turke të vitit të kaluar. “Pronet Gaming”, në pronësi të Bashelit, është një ofrues programesh për faqet e basteve.
Në Maltë, Basheli ka mbyllur ose riemëruar kompanitë që mbanin markën “Pronet”. “Pronet Payment Systems Limited” u bë “Doxxon Finance Limited”.
Avokati i Bashelit thotë se “Pronet Curacao”, një markë në pronësi të “Universal Software Solutions”, drejtonte operacionet B2B dhe “Pronet Malta” aplikoi për një licencë për ta bërë këtë, por kurrë nuk e përdori atë.
Si funksionon sistemi?

Faqet e supozuara të basteve të paligjshme të rrjetit pasqyrojnë platforma ligjore të lojërave të fatit në internet: ato ofrojnë lojëra të drejtpërdrejta kazino, lojëra elektronike dhe baste sportive, shpesh në gjuhë të personalizuara me ndërfaqe miqësore për përdoruesit. Kumarxhinjtë mund të paguajnë me kartë krediti dhe kriptomonedhë, ose nëpërmjet platformave të ndryshme të pagesave në internet.
Ekziston një zonë e madhe gri midis operatorëve të basteve të licencuar siç duhet dhe atyre plotësisht të paligjshëm: faqet e internetit që përdorin një licencë nga një juridiksion ‘e lehtë’ për të synuar lojtarët e fatit në një zonë ku kjo licencë nuk zbatohet ligjërisht.
Megjithatë, ndryshe nga platformat e licencuara, këto faqe interneti rregullisht shpërfillin rregulloret. Ata mund të kenë një licencë në Maltë, Mal të Zi ose Curaçao – megjithatë synojnë kumarxhinjtë në vende të tilla si Turqia, ku kumari në internet është shumë i kufizuar.
Sapo autoritetet fusin në listën e zezë një sajt, rrjeti sindikata thjesht e riemëron dhe e rihap atë. “BeteBet” ishte në listën e zezë në Turqi në 2017, Qipro në 2019 dhe Letoni 2021.
“Le të themi se dikush bëri një ankesë [dhe faqja e internetit BeteBet] u mbyll,” shpjegoi Onal. “Në një moment, në 16 sekonda, BeteBet2 do të jetë live”, tha përfaqësuesi i kompanisë./shteg.org