
Një foto e kapur në ambientet e një kafeneje po bën xhiron e rrjetit për shkak të “protagonistëve”. Në foton e shkrepur janë bashkë, kryebashkiaku i Shkodrës, Benet Beci dhe ish-kreu (tashmë prokurori) i Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, Arben Kraja. Fotoja nuk dihet se kur është bërë, por është publikuar sot dhe ka “pushtuar” të gjitha mediat. Pyetja është e njëjtë; çfarë i lidh bashkë Krajën dhe Becin?
Kjo duke pasur parasysh se vitin që lamë pas, kryebashkiaku i Shkodrës Benet Beci u paraqit disa herë në SPAK për t’u marrë në pyetje, madje pati aludime se ndaj tij ishte ngritur akuzë. Gazetarja Klodiana Lala bëri me dije asokohe se ndaj Becit kishte nisur një hetim pas sekuestrimit të telefonit të bashkëshortes së Evis Berberit, ish-kreu i Autoritetit Rrugor Shqiptar. Sipas saj, ka patur komunikime që lidhen me Becin, pasi e shoqja e Berberit punonte në KESH, institucion që dikur drejtohej nga kryebashkiaku i zgjedhur i Shkodrës. Ndër të tjera, Klodiana Lala tha se Beci po hetohet për dy vepra penale; korrupsion dhe shpërdorim detyre.
Por edhe pse vizitat e Becit në SPAK kanë qenë që në nëntor, deri më sot nuk ka pasur asnjë njoftim se ai është nën akuzë për veprat penale të lartpërmendura. Megjithatë, fotoja e publikuar sot ka ngjallur shumë reagime. Asnjë prej tyre, as Beci dhe as Kraja nuk kanë bërë sqarime lidhur me pozën e shkrepur, qoftë edhe për të sqaruar pozitat e tyre./korrieri