
SPAK ka sqaruar “lapsusin” në kërkesën për masën ndaj Erion Veliajt, ku kryebashkiaku i Tiranës rezultonte si “i dënuar”.
SPAK thotë në një komunikim për mediat, se gjendja “i dënuar” ka mbërritur nga një certifikatë e printuar pas kërkesës së bërë ndaj Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve.
Më tej, SPAK thotë se pavarësisht kësaj, në asnjë rast, “nuk është përdorur si rrethanë gjendja gjyqësore” e Erion Veliajt.
Velaj, në një reagim nga qelia, u shpreh se nuk bëhej fjalë për një “lapsus” të thjeshtë, por sipas tij, ishte për shkak të dashakqeqësisë së prokurorit të çështjes.
Njoftimi i SPAK:
Në lidhje me pretendimet e shtetasit nën hetim E.V sa i takon gjendjes së tij gjyqësore, Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar sqaron se:
Në kërkesën për “Caktimin e masës shtrënguese të sigurimit personal”, drejtuar Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar për shtetasin nën hetim E.V, me numër protokolli 2402, dt. 24.01.2025, Prokuroria e Posaçme nuk i është referuar për asnjë moment gjendjes së tij gjyqësore.
Si pjesë e akteve të depozituara pranë Gjykatës së Posaçme është edhe një certifikatë elektronike e gjendjes gjyqësore me nr. prot. 5488 datë 23.01.2025, e gjeneruar nga sistemi i Drejtorisë së Përgjithshëm të Burgjeve, ku organi procedues ka akses. Kjo certifikatë, në brendësi të saj përmban informacionin se shtetasi E.V, i biri i L. dhe Sh. lindur më 17.12.1979 në Tiranë, rezulton “I dënuar”.
Në lidhje me këtë certifikatë, Prokuroria e Posaçme i ka kërkuar informacion Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve në lidhje me veprat penale si edhe vendimet gjyqësore, të cilat lidhen me certifikatën elektronike që është gjeneruar.
Me shkresën nr. 2215/1 datë 12.02.2025, Drejtoria e Përgjithshme e Gjendjes Gjyqësore ka sqaruar mes të tjerave se:
…çdo herë kur printohet Vërtetimi i Gjendjes Gjyqësore me shënime, del dhe statusi i dënuar si në këtë rast. Shtetasi E. L. V. ka 3 vendime pafajësie.
Në çdo rast, as në kërkesën e Prokurorisë së Posaçme drejtuar Gjykatës se Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, por as nga kjo e fundit, nuk është përdorur si rrethanë gjendja gjyqësore e shtetasit nën hetim E.V, për të caktuar ndaj këtij të fundit, masën shtrënguese të parashikuar nga neni 238 i Kodit të Procedurës Penale.