
Elona Kalesha është dënuar me 30 vite burg pasi u shpall fajtore për vrasjen dhe zhdukjen e kufomave të çiftit Teuta dhe Shpëtim Pasho, prindërit e të fejuarit të saj. Sipas mediave italiane, trupat e të moshuarve u gjetën copë-copë, brenda katër valixheve, të hedhur në një fushë në periferi të Firences.
41-vjeçarja shqiptare, ish e dashura e Taulantit, djalit të viktimave, heshti kur kryetari i Gjykatës së Apelit Alessandro Nencini lexoi vendimin që rrëzoi kërkesën për dënim të përjetshëm të kërkuar nga Prokurori i Përgjithshëm Luigi Bocciolini dhe prokurorët Ornella Galeotti dhe Beatric.
Çifti Pasho u zhduk më 1 nëntor 2015. Nga hetimet u zbulua se personi i fundit që i ka parë ka qenë Elona Kalesha. 5 vjet më vonë, në mbrëmjen e 9 dhjetorit 2020, eshtrat e çiftit u gjetën nga një pensionist që po pastronte fushën. Trupat kishin nisur që të dekompozoheshin prej kohësh. Por ishte një tatuazh që ndihmoi në identifikimin e viktimave. Falë një spirance në krahun e tij, familja e tij e njohu trupin e Shpëtimit. Sipas prokurorisë, Elona Kalesha masakroi vjehrrit e saj në një apartament në Via Fontana, ndoshta me ndihmën e një bashkëpunëtori dhe i fshehu mbetjet në valixhe, të cilat më pas i hodhi në rrugë pranë Sollicciano.