
Kur shpërndanë informacionin se Ajola Xoxa ka shpenzuar mbi 860 mijë euro për veshje dhe aksesorë të shtrenjtë, dy prokurorët e çështjes, Olsi Dado dhe Altin Dumani kanë qenë të ndërgjegjshëm se po hidhnin një bombë shkatërruese për imazhin e Erjon Veliajt dhe bashkëshortes së tij.
Shifra e çmendur e blerjeve online është provë për luksin e pamohueshëm, ku qenë zhytur njerëzit që supozohet se i administrojnë me kursim taksat e qytetarëve Tiranës. Irritimi i opinionit publik, që në nisje të procesit, është një avantazh për prokurorët në sallën e gjyqit.
“Ajola Xoxa vetë ose nëpërmjet personave të tjerë të afërt me të, për një periudhë kohore prej rreth 4 vitesh, ka bërë blerje online të cilat konsistojnë në veshje, bizhuteri etj, në masën 86,721,175 lekë, ose rreth 880 mijë euro”, shkruhej në njoftimin e SPAK, që ashtu siç pritej kapi menjëherë titujt kryesorë në media.
Prandaj Erjon Veliaj e denoncoi menjëherë, si të pavërtetë përdorimin e 860 mijë euro blerje të Ajola Xoxës. Kryebashkiaku tha se shpenzimet ishin për eventet kulturore që menaxhonte e shoqja, jo për qejfet e saj personale.