
Shfryhet operacioni i bujshëm anti-botox, Skerdi Faria kthehet nga arratia dhe lëviz lirshëm nëpër Tiranë, Deisa Shehaj vijon me injeksionet , PRAPASKENAT
Policia e Tiranës kreu një operacion të bujshëm në fund të tetorit të vitit 2024 kundër kontrabandës së botox-it që përdoret masivisht nga qendrat estetike në vend duke arrestuar disa persona dhe shpallur në kërkim të tjerë.
Mes të arrestuarve sipas njoftimit të policisë ishte edhe Deisa Shehaj administratore e klinikës “Deas Aesthetics clinic”, e akuzuar për veprat penale “Kontrabandë me mallra të licensuara” e kryer në bashkëpunim dhe “fshehje e të ardhurave”.

Po ashtu, në pranga ra edhe Mildon Kumaraku administratori i subjektin “Capo – AL shpk” i akuzuar për “Kontrabandë me mallra të licensuara” e kryer në bashkëpunim “Kontrabandë nga punonjësit që lidhen me veprimtarinë doganore” e kryer në bashkepunim dhe “fshehje e të ardhurave”. Subjekti privat që ai administronte dyshohet se kontrabandon dhe magazinon produktin e kundërligjshëm, si dhe furnizon me të, klinikat estetike.
Ndërkohë, po me aq bujë policia shpalli në kërkim edhe mjekun Skerdilajd (Skerdi) Faria, administrator i klinikës KEIT.

Operacioni, si shumë të ngjashëm, bëri bujë në rrjetet sociale dhe fotot e personave të arrestuar dhe shpallur në kërkim bën xhiron e rrjeteve sociale, por duket se gjithçka paska qenë një “vrimë në bujë”.
Siç rezulton nga verifikimet që ka bërë Korrieri, thuajse të gjithë personat që u njoftuan se u arrestuan tani lëvizin lirshëm, ndërkohë edhe mjeku Skerdilajd Faria është kthyer nga Italia ku ndejti në arrati për disa javë dhe tani vërtitet lirshëm në zonën e Zogut të Zi në Tiranë, ku edhe ka klinikën, kurse Deisa Shehaj vijon injektimet siç edhe e tregon në rrjetet sociale, krejtësisht e pashqetësuar nga policia.
Duket se operacioni është shfryrë keqazi dhe klinikat vijojnë punën normalisht duke vijuar injektimet. Gjithçka duket se ka ndodhur pas një ndërhyrjeje “nga lart”, ku aktorët më të rendësishëm janë marrë vesh për ndarjen e tortës dhe puna madje po vijon me intensitet më të lartë se më parë.
Tani, duket se policia nuk ka më probleme për botox-in dhe personazhet e operacionit të bujshëm vijojnë jetën normalisht, me gjasë me më shumë para në xhep dhe me marrëveshje të mbyllura me “peshkaqenët” e sektorit.
Vijon…
/korrieri