
Një vajzë 12-vjeçare ka ndërruar jetë në Sukth në Durrës. E mitura ka shkuar në shkollë dhe gjatë orës së dytë të mësimit ka pasur dridhje të ngjashme me epilepsinë. Ajo është dërguar nga mësuesit në Qendrën Shëndetësore të Sukthit, ku pasi i është dhënë ndihma e parë janë njoftuar prindërit e saj. Ajo u dërgua në spitalin e Durrësit nga dy gjyshërit e saj, ku është bërë stabilizimi i gjendjes fillestare të 12-vjeçares, pasi ajo kishte dridhje të trupit.
Mjekët e kanë futur në skaner dhe kanë zbuluar se ajo kishte një rrjedhje gjaku, “hemorragji cerebrale”. Ajo u intubua menjëherë, por hemorragjia vazhdoi dhe e mitura humbi jetën në spital. Sipas mjekëve, ajo ka pasur dhimbje të vazhdueshme dhe të forta në kokë, por pavarësisht ndërhyrjes hemorragia vazhdoi, ku si pasojë 12-vjeçarja humbi jetën.
Për këtë ngjarje të rëndë, Policia e Durrësit ka nisur hetimet dhe ka marrë në pyetje mjekët për ekspertizën mjeko-ligjore për të përcaktuar shkakun e vdekjes. Gjithashtu do të merren dëshmitë e të afërmëve të vajzës, nxënësve dhe mësuesve të shkollës së saj. /korrieri