Edison Elezaj, djali i biznesmenit të njohur Hajri Elezaj, është arrestuar sërish nga autoritetet, pasi akuzohet për shkelje të masës së arrestit shtëpiak të caktuar nga gjykata për një vepër tjetër penale. Sipas burimeve zyrtare, ai pritet të dalë para gjykatës këtë të premte për caktimin e masës së sigurisë.
Në korrik të vitit 2024, Edison Elezaj ishte i pranishëm në një festë në restorantin luksoz “Savoy Garden”, i pozicionuar në kompleksin “Delijorgji” në Rrugën e Kavajës, Tiranë. Gjatë festës, ai dyshohet se ka qëlluar me armë zjarri tip “TT” pa leje, duke plagosur tre anëtarë të së njëjtës familje: 36-vjeçaren Elona Pinari dhe vëllezërit e saj binjakë, A. Pinguli dhe D. Pinguli.
Pas ngjarjes, Elezaj u shpall në kërkim dhe u arrestua në shtator 2024 në një hotel në Kukës. Dy persona të tjerë, Arjan Dushaj dhe Dardan Zalli, u arrestuan për fshehjen e armës së krimit.
Edison Elezaj është djali i biznesmenit Hajri Elezaj, pronar i kompanisë së ujit “Lajthiza”. Emri i tij është përmendur në media për përfshirje në ngjarje të ndryshme penale, duke tërhequr vëmendjen e opinionit publik dhe autoriteteve ligjzbatuese.
Arrestimi i fundit për shkelje të arrestit shtëpiak shton shqetësimet rreth respektimit të masave ligjore dhe sjelljes së tij në raport me drejtësinë. Mbetet për t’u parë se çfarë vendimi do të marrë gjykata në seancën e ardhshme. /korrieri