![](https://gazetakorrieri.com/wp-content/uploads/2025/02/spak.png)
SHBA vendosi të ndërpresë fondet me një urdhër ekzekutiv të presidentit Donald Trump, për të gjithë botën, duke prekur edhe dhjetra institucione në Shqipëri, përfshirë këtu edhe ato të drejtësisë së re si SPAK dhe BKH.
Vendimi fillimisht solli paqartësi se deri në çfarë pike shkonte mbështetja me fonde e SHBA për SPAK dhe si do të ndikonte tashmë. Megjithatë, siç edhe SPAK reagoi, institucioni mbështetet nga buxheti i shtetit shqiptar.
Por në të njëjtën kohë mbështetja ndaj SPAK-ut ka qenë , prej themelimit, e konsiderueshme edhe nga Bashkimi Europian. Kështu, në një reagim ndaj interesit të disa medieve, BE thekson ndihmën që ka dhënë për SPAK, dhe njëkohësisht vlerëson punën e prekshme dhe rëndësinë që kanë institucionet e drejtësisë për vendin tonë.
Reagimi i BE:
Kemi marrë dijeni për njoftimin e bërë nga Presidenti Trump për të pezulluar përkohësisht të gjitha programet e ndihmës së huaj të SHBA-së për 90 ditë në pritje të rishikimeve nga administrata e re.
* BE-ja ka qenë në pararojë të dhënies së ndihmës për reformën në drejtësi dhe është e vendosur të vazhdojë ta mbështesë reformën në drejtësi në Shqipëri.
* Që kur sistemi i drejtësisë iu nënshtrua një reforme thelbësore në vitin 2016, BE-ja e ka intensifikuar ndjeshëm këtë mbështetje. Kjo përfshinte mbështetje buxhetore dhe mbi 50 milionë euro asistencë teknike, duke synuar veçanërisht ndërtimin e institucioneve.
* Burime të tjera të rëndësishme parashikohen për ta vazhduar këtë mbështetje pa probleme, përfshirë përmes Mekanizmit të Rritjes dhe Reformës për Ballkanin Perëndimor.
* Roli i SPAK-ut dhe pavarësia e tij në hetimin, ndjekjen penale dhe gjykimin e çështjeve komplekse të korrupsionit është i një rëndësie kyçe. BE-ja e ka mbështetur SPAK-un që nga themelimi i tij nëpërmjet asistencës teknike të dedikuar në kuadër të projekteve EU4LEA dhe EU4 FOCAL me buxhet të përgjithshëm mbi 8 milionë euro.
* SPAK-u ka prodhuar rezultate të prekshme, duke kontribuar në përpjekjet e përgjithshme të Shqipërisë për të krijuar një historik të besueshëm në luftën kundër krimeve të rënda, krimit të organizuar dhe korrupsionit, përfshirë në nivel të lartë.” /korrieri