Përgjime, shantazh dhe foto të paligjshme, kush është Klerdi Tanciça i Emerald SPA që përmendi Ahmetaj dhe roli i dados filipineze
Ish-zëvendëskryeministri Arben Ahmetaj ka qenë në qendër të vëmendjes për akuza dhe hetime të ndryshme, por një tjetër episod i pazakontë ka dalë në dritë: dëshmia e një dadoje nga komuniteti filipinas, e cila pretendon se ka qenë e përdorur për të spiunuar dhe mbledhur informacion mbi Ahmetajn dhe familjen e tij.
Sipas dëshmisë së publikuar nga Ahmetaj fillimisht, e më pas në një dokument të shfaqur nga Syri.net, dadoja deklaron se është punësuar në Shqipëri në kushte të rregullta dhe me një kontratë pune që përfshinte pagën, akomodimin dhe sigurimin shëndetësor.
Por ajo pretendon se gjatë punës së saj ka përjetuar presion psikologjik dhe shantazhe nga një grup personash, të cilët i kanë kërkuar të fotografonte, grumbullonte informacion dhe të spiunonte ish-zv.kryeministrin dhe rrethin e tij familjar.
Presioni dhe Manipulimet
Në dëshminë e saj, dadoja shpjegon se është kontaktuar dhe kërcënuar nga një grup personash filipinas, të cilët e kanë shantazhuar për të dhënë informacion mbi Ahmetajn dhe familjen e tij. Ajo po ashtu Pretendon se është udhëzuar të raportojë mbi vendet dhe personat me të cilët ka lidhje ish-zv.kryeministri.
Pas përfundimit të presioneve, ajo deklaron se ka kërkuar ndihmë nga punëdhënësja e saj për të anuluar kontratën dhe për të marrë masa për t’u larguar nga Shqipëria.
Ahmetaj flet për përgjime dhe ndikime të paligjshme
Ky episod ka ngritur pyetje të rëndësishme mbi përgjimet e paligjshme dhe ndërhyrjet ndaj jetës private të një zyrtari të lartë të shtetit.
Ahmetaj ka deklaruar publikisht se është përgjuar dhe survejuar, ndërsa ky rast shton peshën e akuzave për metoda të paligjshme të ndjekura ndaj tij.
Sipas ish-zv.kryeministrit, ky është një tjetër episod që tregon për një fushatë të mirëorganizuar kundër tij, duke përfshirë survejimin dhe përfshirjen e personave të tretë në grumbullimin e informacionit.
Por kush e përgjoi Ahmetajn dhe çfarë është Emerald Spa?
Emerald Spa është një biznes në emër të Klerdi Tançiça. Ky person i panjohur për publikun është personi që ka nën pronësi kompaninë ku dadoja filipineze pretendon se u punësua për të përgjuar Ahmetajn dhe familjen e tij.
A ishte vërtet një urdhër përgjimi? A ka Klerdi Tançiça lidhje me politikanë e emra të tjerë që iu intereson sulmi ndaj Ahmetajt? A kanë bazë akuzat e Ahmetajt? Media do të vazhdojë të hulumtojë për këtë çështje. Deri në botimin e këtij artikulli asnjë përfaqësues i Emerald nuk ka bërë asnjë sqarim për mediat përballë akuzës për përgjim të paligjshëm./replika.al