Mafia e oksigjenit në veprim, një udhëzim që shpall fituese të tenderëve vetëm dy kompanitë, MESSER Albagaz dhe GTS
Qeveria vijon të japë pa garë miliona euro për oksigjenin mjekësor, në procedura tepër të dyshimta të organizuara nga Ministria e Shëndetësisë dhe Spitalit Universitarë, Rajonalë apo Lokalë. Një skemë e pastër, ku dy firmat që “plotësojnë” dokumentet dhe kanë punë të ngjashme, kanë ndarë prej vitesh këtë treg, duke eliminuar garën dhe duke marrë çdo qindarkë të firmosur anë e mbanë Shqipërisë.
Pavarësisht se institucionet kontrolluese dhe ligjzbatuese po verifikojnë disa procedura, këto spitale janë të “detyruar” që të zbatojnë një udhëzim të Ministrisë së Shëndetësisë që i “urdhëron” që tenderët t’ia japin dy firmave; GTS dhe MESSER. Javët e fundit pati edhe një hetim nga SPAK-u, teksa kontrolloi disa biznese dhe telefona, por deri më tani çështja ka mbetur pezull.
Por, nga ana tjetër, këto spitale janë “detyruar” që të bëjnë procedura dhe të shpallin fitues këto dy firma, siç është rasti i Spitalit të Korçës. Tenderët e oksigjenit që realizoi ditët e fundit ky spital kanë qenë të paracaktuara, ku fitues ka dalë “klienti” i vjetër firma MESSER.
Mafia e oksigjenit në veprim, një udhëzim që shpall fituese të tenderëve vetëm dy kompanitë, MESSER Albagaz dhe GTS
Sipas dokumenteve që disponon VoxNews, firma MESSER është shpallur fituese e dy lotëve të tenderit të oksigjenit në Spitalin Rajonal Korçë. Njoftimi i fituesit u bë në datë 4 shkurt 2025, teksa bën fjalë për objektin “blerje oksigjen mjekësor e ndarë në lote, me afat 12 muaj, ku të gjitha kushtet janë të përcaktuara”. Loti i par ëishte oksigjen i gaztë, i dyti oksigjen i lëngët. Vlera e të dy lotëve është 400 mijë euro.
“Me anë të të këtij formulari ju informojmë se, në këtë procedurë kanë marrë pjesë, Messer Albagaz për Lotin 1 me vlerë 13.824.000 lekë. Dhe, për lotin 2, Messer Albagaz me vlerë 25.488.000 lekë” thuhet në këto dokumente.
Pra, asnjë firmë tjetër s’mori pjesë në këto procedura, pasi ato “përjashtohen” nga udhëzimi i Ministrisë së Shëndetësisë apo edhe nga kriteret e vendosura për “punë të ngjashme” nga këto spitale. Duke qenë se fitues del GTS dhe MESSER, këto të dy firmat kanë ndarë edhe tortën, ku përshembull në Fier fiton GTS dhe në Korçë fiton gjithmonë MESSER, në të dyja rastet s’ka garë!
Faksimile: Tenderi i Spitalit të Korçë në vitin 2020, me vlerë 1 milionë euro
Më sipër faktuam se në tenderin e vitit 2025 nuk kishte garë. Messer fitoi plot 400 mijë euro. Por, kush i ka fituar këto tendera në të kaluarën? Sipas dokumenteve që hulumtoi VoxNews, në vitin 2021 e njëjta firmë fitoi tenderin e paracaktuar të blerjes së oksigjenit me vlerë 1 milionë euro. Një nga kushtet e tenderit ishte vendosja e një depozite oksigjeni 10 ditë pas shpalljes së fituesit. Por, kompania Messer e kishte vendosur këtë depozitë në mes të muajit dhjetor 2020.
Në foto: Depozita e oksigjenit e kompanisë MESSER e vendosur pranë Spitalit Rajonal në Korçë
Si mund të fitonte tender ndonjë kompani tjetër, kur në Spitalin Rajonal të Korçës është instaluar prej shumë vitesh depozita e oksigjenit?! Foto e mësipërme është kjo depozitë, e vendosur në dhjetor të vitit 2020.
Çdo tender pas kësaj date është fituar nga firma në fjalë, pasi asnjë firmë tjetër nuk guxon të marrë pjesë, ose skualifikohet që në fazat e para se nuk përmbush kushtet. Një paracaktim i tenderit, ku faktet janë tepër të hapura, teksa përgjegjësia bie që nga Ministria e Shëndetësisë që ka nxjerrë udhëzimin, spitalet dhe vetë firmat që bëjnë marrëveshje me njëra tjetrën. /korrieri