
Princ Leka Zogu II është dënuar me 1 vit burg për dhunën e ushtruar ndaj tashmë ish-vjehrrit të tij në ambientet e Pallatit Mbretëror thuajse një vit më parë. Togat e zeza të Gjykatës së Tiranës e kanë gjetur fajtor për “dhunë në familje”, ndaj kanë caktuar ndaj tij dënimin me 1 vit burg. Por për shkak se Princi përfiton nga procedura e gjykimit të shkurtuar, e cila i ul 1/3 e kohës së burgimit, dënimi i zbriti në 8 muaj. Ndaj në këto kushte, Gjykata konvertoi dënimin në 16 muaj shërbim prove.
Në seancën e sotme, gjyqtarja Migena Laska dënoi me 10 muaj Gjergj Zaharinë, por edhe ky i fundit përfitoi nga gjykimi i shkurtuar dhë dënimi i zbret në 6 muaj e 20 ditë. Në këto kushte edhe për të pati një konvertim të dënimit me 1 vit e 40 ditë, liri me kusht. E vetmja që u shpall e pafajshme ishte Elia Zaharia, ndaj të cilët nuk u gjet asnjë vepër penale.
Divorci i Princ Lekës dhe Elia Zaharisë u shoqërua me tensione të shumta mes çiftit, që më pas eskaluan në dhunë fizike. Në një video të regjistruar nga Princ Leka shihej aktorja, e cila e qëllonte ndërsa babai i saj, Gjergj Zaharia mbante në dorë një objekt druri. Palët akuzuan njëra-tjetrën për dhunë. Elia pretendonte se Princ Leka i kishte dhunuar të atin, ndaj dhe ajo reagoi ashtu, ndërsa Leka II akuzon aktoren dhe babanë e saj për dhunë në sy të vajzës së mitur. Konflikti mes tyre lidhur me këtë çështje mori fund sot. /korrieri