
Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka kërkuar dënimin me burgim të përjetshëm për Fran Marashin. Marashi është autori i masakrës së ndodhur në Urën Vajgurore në Berat, ku mbetën të vrarë 4 punonjës policie dhe u plagosën 6 të tjerë. Marashi momentalisht ndodhet në Regjimin e Posaçëm “41-bis”. Sipas njoftimit të “Burgjeve” Marashi do të qëndrojë në izolim në burgun e sigurisë së lartë në Peqin për një periudhë 1-vjeçare.
Kjo sepse, sipas Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, gjatë vuajtjes së dënimit, Fran Marashi është dënuar tre herë për veprën penale “Largimi i të burgosurit nga vendi i qëndrimit” dhe dy herë për veprën penale “Futja ose mbajtja e sendeve të ndaluara në institucionin e vuajtjes së dënimit”.
Fran Marashi akuzohet për ngjarjen e datës 17 qershor 1997, ku u vranë katër punonjës policie dhe u plagosën 6 të tjerë. Pas një mitingu të Partisë Socialiste, forcat e Policisë së Shtetit po ktheheshin në Berat me mjetet e tyre, kur janë qëlluar me armë 150-200 metra larg vilës së Protoduarëve. Dëshmitarët okularë kanë dëshmuar në gjyq se mbi blindin e policisë janë hedhur shishe me lëndë djegëse nga Lek Lorja e Fran Marashi që kanë hipur në tank. /korrieri