Kasaforta sekrete në apartamentin e Sky Tower: Hetimi ndaj Veliaj dhe familjes së tij vijon
Në apartamentin 11/4 të Sky Tower, i cili dyshohet nga SPAK se përdorej nga Ajola Xoxa, bashkëshortja e kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, është zbuluar një kasafortë gjatë një kontrolli të autorizuar nga gjykata.
Korrieri mëson se për shkak se çelësi nuk ishte i disponueshëm, agjentët e Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH) kërkuan ndihmën e një eksperti për hapjen e saj me një frezë.
Detajet mbi përmbajtjen e kasafortës mbeten të paqarta, përveçse për dy prokurorët e posaçëm, Altin Dumani dhe Ols Dado.
Burime të afërta me hetimin raportojnë se nga apartamenti janë sekuestruar dokumente, kontrata, fatura të ndryshme dhe disa rroba.
Kontrolli lidhet me hetimin ndaj kryebashkiakut dhe familjarëve të tij për dyshime mbi korrupsion, pastrim parash dhe fshehje pasurie.
Në kuadër të të njëjtit hetim, SPAK ka kryer më parë kontrolle edhe në bizneset e familjarëve të Veliajt, ku janë sekuestruar telefonat dhe materiale të tjera të rëndësishme. Hetimi mbetet në zhvillim, ndërsa opinioni publik pret transparencë mbi këtë çështje./korrieri