Policia e Korçës, RENEA, Forcat e ndërhyrjes së Shpejtë, Shqiponjat dhe Forca e Posaçme Operacionale zhvilluan një operacion masiv në Pogradec, ku rrethuan dhe banesën e të kërkuarit Erjon Llapushi. Erjon Llapushi është një personazh i njohur për drejtësinë shqiptare, pasi në vitin 2021 vrau kamarierin në një restorant në Elbasan, Gazment Kurmaku. Llapushi kapi për fyti kamarierin, e kërcënoi me thikë dhe më pas e vrau. Llapushi akuzohet për veprën penale “vrasje me dashje”, ndërsa shoku i tij, me të cilin ishte në momentin e ngjarjes, Luan Dulellari akuzohet se mozkallëzim krimi dhe përkrahje të autorit.
Më 2 tetor 2021, autori kishte hyrë dhe ishte ulur në një vend të rezervuar, gjë që iu vu në dukje nga kryekamarieri. Këtu ka nisur debati mes tyre dhe Llapushi e ka goditur, ndërkohë që kamarieri pas goditjeve fizike është përplasur dhe me një nga tavolinat në lokal. Me plagë të rëndë ai u dërgua në spitalin e Traumës ku edhe pësoi vdekje klinike, por ndërroi jetë 5 ditë më vonë.
Prej vitesh, Erjon Llapushi është shpallur në kërkim nga Policia, por ende nuk është arrestuar nga uniformat blu. I shpalluri në kërkim, Erjon Llapushi, nuk është i panjohur për Policinë e Elbasanit, pasi rezulton person me precedent të mëparshëm penal. Disa vite më parë, Llapushi, së bashku me Saimir Frahollin u futën në mënyrë të dhunshme aksionerë në një kompani private e transportit rrugor. Fraholli e Llapushi synonin t’i merrnin pasurinë me dhunë dhe presion psikologjik dy biznesmenëve në Pogradec. Përgjatë dy muajve hetime u provua se Saimir Fraholli dhe Erjon Llapushi, nëpërmjet formave të ndryshme kishin mundur t’i marrin 17% të aksioneve një kompanie private për transportin e udhëtarëve në linjat Pogradec-Korçë dhe Pogradec-Tiranë.
Më pas të gjitha i kishin shitur tek një person tjetër. Të dy janë denoncuar në vitin 2018 por nuk dihet se sa janë dënuar në Gjykatë. Ndërkohë që Erjon Llapushi ka qenë i dënuar për dy akuza të tjera, atë të “Plagosjes së rëndë me dashje” dhe “Mbajtjes pa leje dhe prodhimit të armëve dhe municionit”. Në vitin 2008, ai ka plagosur Mariglen Topuzin, ndërsa qëndronte bashkë me të. Topuzi është qëlluar me armë zjarri, duke marrë një plagë në kokë dhe një plagë në gjoks poshtë zemrës. Nëdrsa në vitin 2007, ai tentoi të vrasë Andi Sukollarin, ngjarje për të cilën ai u dënua. Pas përfundimit të dënimit, një vit më vonë ai plagosi Topuzin. /korrieri