
Vrasja e biznesmenit Bujar Nasufi tek “Pallati me Shigjeta” në kryeqytet vijon të mbetet ende pa një autor. Bëhet me dije se familjarët e tij janë marrë sërish në pyetje. Bëhet me dije se gjatë dëshmisë së tyre ata nuk kanë treguar detaje mbi konfliktet e mundshme që 56-vjeçari mund të ketë ka pasur. Madje janë shprehur të rezervuar kur janë pyetur nga hetuesit mbi problemet qe ata mund të kenë me bizneset apo pronat.
Telefoni i viktimës është dërguar për ekspertim në policinë shkencore ku pritet të marrin prej saj komunikime të vlefshme. Një ditë më parë, në ambientet e një tuneli të braktisur nga ushtria në zonën “Kodrat e Sharrës”, policia gjeti të shkrumbuar motorin që dyshohet se është përdorur nga autori i kamufluar si shpërndarës picash. Përveç motorit të djegur është gjetur dhe arma e krimit një automatik i shkurtër MP5.
Biznesmeni u ekzekutua në sy të bashkëshortes së tij, pasi kjo e fundit ishte brenda mjetit në momentin kur autori afrohet dhe e qëllon duke e lënë të vdekur në vend. Mësohet se autori i maskuar dyshohet se e ka pritur përpara banesës, ku dhe është kryer ekzekutimi. Viktima është qëlluar nga një distancë e afërt, ku si pasojë ka marrë dy plumba në gjoks. Në vendngjarje janë gjetur 6 gëzhoja, të cilat besohet se i përkasin armës me të cilën është vrarë Nasufi. Bujar Nasufi ishte një person pa precedent penalë. Bujar Nasufi ishte biznesmen dhe kishte në zotërim një mobileri. Biznesin e administronte bashkë me të vëllanë, në rrugën “Irfan Tomini”, pranë zonës ku dhe ndodhi vrasja. /korrieri