
Kush po paguan? Si po mbahet peng hetimi për mbetjet toksike të Kurum ?! SPAK duhet të ndërhyjë!
Skandali i eksportit të mbetjeve të KURUM, të dyshuara si toksike, me shumë gjasa nuk do të zbardhet kurrë, pasi që nga dita kur kontejnerët u kthyen mbrapsht në Shqipëri dhe u vendosën në Porto Romano, nuk është kryer asnjë veprim hetimor.
Të gjitha institucionet kanë heshtur dhe askush nuk mban përgjegjësi për skandalin që doli në dritë pas denoncimit nga rrjeti i Bazelit.
Për të çuar përpara hetimet, është e nevojshme që të merren mostra nga mbetjet dhe të përcaktohet se çfarë ndodhet brenda kontejnerëve. Por deri më tani, kjo procedurë nuk është kryer.
E vetmja mundësi për hetime të plota dhe të pavarura është që, së pari, analizat të kryhen në laboratorë jashtë vendit dhe, së dyti, dosja të kalojë në duart e prokurorëve të posaçëm.
102 kontejnerët me mbetjet e Kurum u eksportuan nga kompania “Sokolaj” shpk, me administratore Gjovana Sokolaj, drejt Tajlandës pa marrë miratimin e vendit pritës. Kontejnerët u kthyen pas alarmit të ngritur nga rrjeti i Bazelit, duke ngritur dyshime se mbetjet ishin toksike.
Skandali i eksportit të mbetjeve përfshin jo vetëm kompaninë Kurum dhe atë Sokolaj, por edhe një zinxhir institucionesh, që nga Agjencia Kombëtare e Mjedisit, Ministria e Mjedisit, Porti i Durrësit, etj.
Nga informacionet e deritanishme rezulton se në 6 muajt e parë të hetimeve janë zbuluar dhjetëra shkelje ligjore, por me mbërritjen e kontejnerëve gjithçka mbeti në vendnumëro. /korrieri