
Arrestohet Martin Mane, policia tenton fshehjen e prangosjes së djalit të biznesmenit Samir Mane? Njoftimi gati 24 orë më pas, kur portalet kishin nisur raportimin
Policia e Tiranës është vendosur në qendër të vëmendjes për mënyrën se si ka trajtuar arrestimin e Martin Manes, djalit të biznesmenit të njohur Samir Mane, pas një aksidenti rrugor të shkaktuar në gjendje të dehur.
Edhe pse ngjarja ka ndodhur mbrëmjen e djeshme në rrugën “Xhorxh Bush”, pranë Parlamentit, njoftimi zyrtar nga policia është bërë publik vetëm sot, pasi disa portale kishin filluar të raportonin për incidentin.

Sipas raportimeve paraprake, 28-vjeçari ka përplasur dy automjete të parkuara dhe është larguar nga vendi i aksidentit, por është ndaluar pak metra më tutje nga efektivët e policisë, të cilëve fillimisht u ka kundërshtuar kryerjen e testit të alkoolit. Testi më pas ka konfirmuar se ai ishte në gjendje të dehur.
Njoftimi i vonuar i policisë ka ngritur pikëpyetje mbi arsyet e mosraportimit në kohë të incidentit dhe ka hapur diskutime mbi transparencën e organeve të rendit.
“M. M., 28 vjeç, pasi në rrugën “Xhorxh Bush”, duke drejtuar automjetin, ka përplasur 2 automjete të parkuara dhe është larguar nga vendi i aksidentit. Disa metra më tej, pas ndalimit nga punonjësit e Policisë, 28-vjeçari i ka kundërshtuar ata për kryerjen e testit të alkoolit, nga i cili rezultoi në gjendje të dehur”, njoftimi që nisi policia shumë orë pasi portalet ende të pakapura kishin raportuar mbi ngjarjen e rëndë.
Aktualisht, materialet procedurale janë dërguar në Prokurori për veprime të mëtejshme, por ende s’ka asnjë informacion nëse trashëgimtari i Manes po mbahet në qeli si çdo shqiptar tjetër që kryen një shkelje si kjo apo është transferuar në shtëpi. /korrieri