Detaje të reja nga ngjarja e rëndë ka ndodhur mbrëmjen e së dielës në Fier, ku një 40-vjeçar i identifikuar me inicialet G.H, është plagosur me armë zjarri.
Plagosja është kryer nga Klement Beqaj, 25 vjeç, i cili ishte në një lidhje me bashkëshorten e 40-vjeçarit, 29-vjeçaren, Melisa Beluli.
Çifti ishin në proces divorci dhe kishin nisur procedurat për ndarjen.
Edhe pse kanë kaluar rreth 5 ditë nga plagosja, gjendja e 40-vjeçarit paraqitet shumë e rëndë dhe është në gjendje kritike për jetën.
Si ndodhi ngjarja
Ka qenë djali i çiftit, vetëm 10 vjeç ai që ka telefonuar të ëmën dhe i ka kërkuar që ta marrë.
Duke qenë që çifti ishin në proces divorci, djali rrinte gjatë ditës me të atin dhe në mbrëmje shkonte tek nëna.
Telefonata ka qenë e tensionuar, dhe më pas 29-vjeçarja ka shkuar së bashku me të dashurin në lokalin ku gjendej 40-vjeçari.
25-vjeçari ka goditur bashkëshortin e të dashurës.
Ngjarja ka qenë e gjitha në sy të djalit të tyre të mitur.
Beqaj dhe Beluli më pas janë arratisur ku janë në kërkim prej një jave nga policia.
Njoftimi i policisë:
Në vijim të informacionit të datës 05.01.2025, mbi plagosjen me armë zjarri të shtetasit G. H., 40 vjeç, në vendin e quajtur “Kryqëzimi i Zogut të Zi”, sqarojmë se si rezultat i veprimeve hetimore u bë shpallja në kërkim e shtetases M. H., 29 vjeçe (bashkëshortja e 40-vjeçarit, me të cilën është në proces për zgjidhjen e martesës).
Vijon puna për lokalizimin dhe kapjen e saj, si dhe të autorit të plagosjes, shtetasit K. B., 26 vjeç.
Më datë 08.01.2025, për këta shtetas, Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Fier ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, përkatësisht për shtetasin K. B., për veprat penale “Vrasja me dashje”, mbetur në tentativë dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve dhe municionit luftarak”, ndërsa për shtetasen M. H., për veprën penale “Moskallëzimi i krimit”.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë së Fierit, për veprime të mëtejshme.