Një investigim i “Piranjave” ka nxjerrë në dritë prapaskenat e Teatrit Kombëtar. Në qendër të investigimit ishte drejtori i TK, Altin Basha dhe bashkëshortja e tij, njëherasi edhe kostumografja e Teatrit, Ilirjana Basha. Të dy, në bashkëpunim me njëri-tjetrin akuzohen se kanë abuzuar me fondet. Në vitin 2022, Altin Basha u emërua me një Vendim të Këshillit të Ministrave si drejtor i Teatrit Kombëtar. Në vetëm dy vite punë, përmes kërkesave për informacion dhe dokumentave të siguruara nga gazetarët e “Piranjat”, pretendohet se Basha ka bërë shpenzime të tepërta lidhur me shfaqjet teatrore si edhe ka regjistruar të punësuar, dhe rrjedhimisht paguar, persona të afërt të cilët, nuk i kanë kryer në fakt punët respektive.
“Piranjat” raporton se në shfaqjen “Vojçek”, Altin Basha ka punësuar si skenografe dhe kostumografe bashkëshorten e tij, Iliriana Basha. Sipas dokumentave të siguruara nga programi, Iliriana Basha nuk ka marrë asnjë pagesë për punën e saj, pra ka bërë punë vullnetare. Mirëpo, në dosjen e shfaqjes rezulton se ajo ka kërkuar 12 milionë lekë (të vjetra) për kostumet e aktorëve, edhe pse teatri ka një garderobë të pasur të vetën që mund të hynte në punë. Për pardesytë e aktorëve meshkuj shkruhet se janë paguar 500 mijë lekë, ndërsa për fustanet e aktoreve janë dhënë në disa raste nga 270 mijë lekë.
Rrobaqepësi Musa Fisniku, që tha se ka punuar veshjet për shfaqjen “Vojçek”, për të njëjtën pardesy që Teatri Kombëtar ka paguar 500 mijë lekë, tha për “Piranjat” se kushtonte 200 mijë lekë.
Më tej, Altin Basha ka punësuar edhe dy persona të afërt të tij, Ervis Saliasin dhe Benada Shutën për të njëjtën shfaqje. Ata kanë punuar më parë në emisionin “Fustanella” të Altin Bashës, i pari si moderator dhe e dyta si skenariste. Benada Shuta rezulton e punësuar në shfaqjen “Vojçek” si grimiere dhe është paguar 4 milionë lekë për këtë, por ndërkohë Shpresa Vasili, ish-grimiere e Teatrit Kombëtar, tha se grimin te kjo shfaqje dhe gjithë të tjerat e ka realizuar e vetme. Benada Shuta ka dhe një aktivitet të regjistruar në Qendrën Kombëtare të Biznesit, ku shkruhet se vepron si skenariste, asistente regjisore, organizatore dhe producente ekzekutive, por askund si grimiere.
Altin Basha ka vënë gjithashtu në skenën e Teatrit Eksperimental shfaqjen “E kuqe” dhe ka pasur në dispozicion 24 milionë lekë fonde për këtë shfaqje, ku sërish punësoi dhe bashkëshorten e tij. Shfaqja “E kuqe” ka pasur vetëm dy aktorë, Gentian Zenelaj dhe Urim Aliaj, por rezulton të jetë punësuar një personel me 13 persona për realizimin e saj. Pavarësisht se për çdo shfaqje këta emra bëhen publikë, Teatri Eksperimental nuk e ka pasqyruar këtë informacion, edhe pas kërkesave.
Në një përballje me gazetaren e emisionit, Lorena Resulaj, Altin Basha nuk dha thuajse asnjë përgjigje ndaj akuzave, duke kërkuar takim zyrtar tek Teatri Kombëtar. Por ndryshe veproi bashkëshortja e tij, Iliriana Basha, e cila nuk pranoi të ketë përfituar nga fondet e kostumeve për shfaqjen “Vojçek”. Madje shkoi deri aty sa e cilësoi Shqipërinë si një vend të ndyrë dhe të poshtër.
“Për këtë fytyrë, kam punuar shumë edhe unë, edhe zoti Altin Basha, se kemi tre fëmijë dhe në vend që të shkojmë diku tjetër e të jetojmë si mbretër, kemi zgjedhur të jetojmë në këtë vendin e ndyrë, të poshtër dhe për të mos vjedhur kurrë asnjë cent, për mos të ngritur kurrë gishtin nga ne, sepse duam ata fëmijët tanë t’i rrisim mirë,”- u shpreh e ajo e revoltuar teksa largohej me Altin Bashën prej një premiere në teatër.
Por ky investigim ka ndezur një valë reagimesh në rrjet nga aktorë që kanë punuar me çiftin Basha. Aktorja Egla Ceno, përmes një statusi në rrjetet sociale shkruajti: Zoti vonon, por nuk harron! Te vjedhësh në Teatër duhet të jesh MASHTRUES i madh, dhe mbi të gjitha i paudhë.
Ndërsa aktori Arben Derhemi duke iu drejtuar ministrit të MEKI-t, Blendi Gonxhes, kërkon marrjen e masave për abuzimet me fondet e Teatrit.
“Reagim Publik i aktorëve të Teatrit Kombëtar. Këto ditë u bëmë dëshmitarë të një investigimi të emisionit “Piranja” për shpërdorimin e buxhetit të Teatrit Kombëtar. Pamë me zë dhe figurë sesi fondet publike zhduken. Sesi Ministria së Kulturës investon me dëshirën për të mbështetur Teatrin, por fondet gllabërohen rrugës. Buxheti i Teatrit po ikën në drejtim të ditur tashmë, por ai drejtim nuk është Teatri. Janë ca fatura fake qepur ne xhepa personale! Janë ca grimiere fantazëm… Janë ca ekspert të audio-vizuale fantazëm! Ne jemi aktorë të Teatrit, dëshmitarë të zhvillimeve dhe e pyesim publikisht dhe ligjërisht z. Basha, drejtor i Tearit. z.Basha çfare ka bere z.Saliasi në shfaqjen Vojçek?! Asgjë. Askush nuk e ka parë asnjë sekondë!. Merr guximin dhe kthe fondet disa milionëshe mbrapsht se janë të Teatrit. Pyesim publikisht z. Basha?! z. Basha çfarë ka bërë znj Shuta në shfaqjen Voiçek. ke grimuar ajo te shfaqja Voiçek? Asnjë. Nuk ka ardhur asnjë sekondë aty. Merr guximin dhe kthe fondet disa milionëshe mbrapsht se janë të Teatrit. LISTA është gjatë. Tashmë ajo është publike. Përgjegjësit të marrin përgjegjësinë e tyre! MBROJE TEATRIN SOT,”- shkruan Derhemi në rrjetet sociale.
Një reagim u bë edhe nga Anxhela Çikopano, e cila tregoi edhe historinë e saj duke treguar sesi e kishin hequr nga puna padrejtësisht nga emisioni i humorit “Portokalli”. Sipas saj, Basha vendosi ta pushojë, pasi punonte ndershmërisht.
“Ata që kanë qenë në fillimet e “Portokallisë” e dinë shumë mirë se si unë, një prej nismëtarëve të këtij programi, u hoqa nga këmbët pa arsye reale, sepse isha njeriu nga kalonin faturat dhe në familjen time më kanë mësuar të punoj ndershmërisht. Karma is a fucking bitch!“, thuhet në postimin e saj.
Më gjatë në këtë çështje u ndal aktorja Aktorja Adelina Muça, ish-bashkëshortja e Hervin Çulit, drejtor i TK para Altin Bashës.
Reagimi i Adelina Muça:
Atdheu nuk ështe i ndyrë, të ndyrë janë ata që vjedhin! (meditim pas një emisioni te shkëlqyer, ” Piranjat”, mbi abuzimet ne Teatrin Kombëtar të drejtorit aktual Altin Basha)
Drejtuar, Znj. Iliriana- Altin Basha!
Ti zonjë e dashur ( shikoni “Piranjat” emisioni i fundit), na paske të drejtë të rritësh mirë fëmijët e tu: me disa shtëpi luksi (për dimër dhe verë), ushqim cilësor, roba firmato, ti dërgosh në shkolla private brenda dhe jashtë vendit, të lëvizësh ku dhe kur ju do kokrra e qejfit, juve dhe fëmijëve tuaj, qoftë edhe kur ju teket për të parë ndonjë koncert rrock nëpër Europë;…ndërsa ne te tjerët: nuk kemi të drejte as tu japim bukën e përditshme fëmijëve tanë! Po si ka mundësi, moj Iliriana?!!! Ja pra që ka: se babi Altini në këtë -“Atdheun e ndyrë” -që thotë mami Iliriana ( si shprehet zonja, tek ‘ Piranjat”), merr miliona në TVSH ( Fustanella dhe Shoë i Vitit të ri) , miliona në Bashki ( teatër me shumë emra, e projekte alternative për “Te drejtat e grave”, qe i merr gjithmonë Iliriana), aprovon projektet e veta në Ministrinë e Kulturës në Bordin e Projekteve (kuptohet, me emra të tjerë aplikuesish), merr rrogë ne TK( si drejtor), e bën mbi 7-8 shfaqje dhe aktivitete private në vit, në sallën e ArTurbina….Ohoooo! U lodha!!! Janë shumë!Dhe, qershia mbi tortë: projektet e teatrit i ka kthyer në objekte kleringu për gjithshka që i sjell përfitime personale. Po,po: ja që ka mundësi! Dhe deri tani folëm vetëm për atë që babi Altini kontrollon në Tiranë, pa përmendur këtu projektet private në Kosovë , Maqedoni, ku eksperte për lidhjen e bashkëpunimeve ( shkëmbimeve më qartë kulturore Shqipëri-Kosovë) ka mami Ilirianën, që po sakrifikon jetën në këtë Shqipërine e ndyrë ( si u shpreh ajo vetë tek “Piranjat”). Ne të tjerët, per fat të keq, këto gjëra as i patëm ëndërruar ndonjëherë ( kur isha në TK ), neve as ndonjë projekt i voglël privat për të mbajtur frymën gjallë nuk na lejohej.Madje nëse guxoje e ia thoje babi Altinit të hiqte nga puna! Babi Altini i jep leje vetëm vetes të punojë privatisht, por të tjerve s’ua jep!!! S’do?! Po , s’do! Ai vetë ka të drejtë ti ketë të gjitha, ne të tjerët: JO!!! Ai ka fëmijë që duhet ti rrisi mirë! Ne ?! Po ç’ne ne!
Tani, si gruaja gruas, për ty Iliriana Basha: ti je një grua e fortë, kosovare trime, që përveç profesionit të vjetër si këngëtare je dhe kostumografe- skenografe, madje nxjerr miliona fonde për aktivitete mbi të drejtat e grave dhe vajzave! Po të kujt grave, të cila vajzave?!!! Të mijat jo një herë! Shpresoj që të kesh një përgjigje për rrëfimin që do rradhoj! Nëna ime ishte grua, edhe unë jam, edhe ime bijë është vajzë!… Si fillim, e ndjej në shpirt të të them, që: fëmijët e tu e paçin jetën e gjatë dhe sa më të lumtur. E këtë ua uroj si nëne! Gëzofshin ato ç’farë kanë, c’farë keni bëre e cfarë do bëni! Qofshin me fat e shëndet ! Amaaaa, i uroj me shpirt: mos ju vëntë kurrë zoti përballë me njerëz si prindërit tuaj! …Iliriana, si grua dhe nënë , kisha e kam të drejtë të rris sa më mirë fëmijën tim! Edhe nëna ime kishte të drejtë të largohej nga kjo jetë pa merakun se e la vajzën dhe mbesën në mes të rrugës (kur më hoqi Altini nga puna me një telefonatë), pa asnjë të ardhme! Me pak fjalë, pa kokërr leku në xhep! Sepse brodha pak muaj spitaleve si me veten ashtu edhe me nënën time para se t’më hiqte Altini yt! Edhe fëmija im pra është vajzë: ajo kishte të drejtë që nëna e saj të punonte për ta ushqyer e për ta çuar ,të paktën me furgon deri në shkollë (shtetërore) ,se shtëpinë e marrë me kredi e kam pak larg, aq lekë kisha mundësi! Fëmijës tim ia hoqët të drejtën të jetonte me nënën e saj për disa kohë, sepse s’kishte lekë ta mbante , u gjend me sytë nga qielli! Fëmijës tim nuk i dhatë të drejtën të blinte as nudëllsat e preferuar, që sa herë ndalonte tek marketi e zgjaste dorën kujtohej dhe thoshte: jo ma, nuk i dua! Por në fakt i donte, nuk i merrte se mami ishte pa punë! Vajzës time nuk ia dhatë të drejtën të blinte një xhup të ri dhe një palë këpucë dimri: ajo u rrit, ishte 13 vjeç! Fëmijës tim i hoqët të drejtën të ndiqte kurse për këngen dhe kitaren që aq shumë i ka pasion! Dhe më e rënda, fëmijën tim nuk e latë rehat as te qante gjyshen e saj (nënën time) , që ndërroi jetë pikërisht ditën që mamin ia hoqët nga puna, në telefon. Si mundet Iliriana, që njeriu të jetë kaq i ligë sa të mos respektojë varrosjen e një njeriu; minimumi, pritjen për kalimin e dhimbjes nga humbja e NENES!… Po grua, po Iliriana, ke të drejtë te rritësh fëmijët e tu sa më mirë! Te respektoj, pa fund! Dhe si grua e si nenë te lutem: mos i mbyt me mllef fëmijet e tu, mos i bëni si veten! Vajzës sime po mundohem t’ ja zbus paragjykimin per ju! Fëmija im është fëmija e ish bashkshortit tim, “mikut” dhe “armikut” te burrit tend! Ata kane historinë e tyre, sfida, hakmarrje, dashuri, urrejtje…Por ti, si grua që lufton për të drejtat tona( fiton dhe miliona, me projekte), bëhu burrneshe( si thoni ju nga Kosova), mos na lër ne grave të jem samari i hakmarrjes që vjen nga komplekse të ngjizura në palcën e burracakëve që merren me bukën e një jetimi dhe të një fëmije! Keni shumë mëkate e nderuar, e nuk e ka fajin atdheu për këtë! Atdheu nuk ështe i ndyrë, të ndyrë janë ata që e ndyjnë atdheun!
Një nga bashkëpunëtorët më të vjetër të Bashës, aktori Jul Deda me një video të publikuar në rrjetet e tij sociale u shpreh se ishte në dijeni të kësaj historie.
“Kur thua hajdutët e Shqipërisë, mos vallë e ke për ata që emëruan burrin tëndë në postin e drejtorit?,”-tha Deda.
Në fund, pati një reagim, ndoshta më i ashpri nga aktorja Delina Disha. Në një video që ajo e ka hedhur sot në rrjetet e saj sociale, kërkon një hetim nga Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. Kërkesa e saj është e qartë dhe duket se do t’i bashkohen edhe kolegë të tjerë, por deri më tani nuk ka asnjë shenjë nga ana e SPAK se do të nisë kallëzim penal për këtë çështje.