
Prej disa muajsh qeveria po tenton të zbatojë vendimin e Gjykatës së Arbitrazhit në Paris, për t’i vjelë kompanisë koncesionare “Bankers” plot 236 milionë dollarë. Janë bërë disa përpjekje për zbatim, por vetëm ditët e fundit është hapur një tender për të përkthyer vendimin në fjalë.
VoxNews publikoi dokumentet e këtij tenderi nga AKBN-ja, e cila ka ngritur një grup pune për “zbërthimin” e vendimit, për të dalë më pas sa detyrime ka për t’i paguar koncesionari që shfrytëzon prej 20 vitesh vendburimin e naftës Patos – Marinëz, i cili përbën mbi 90 % të rezervave që shfrytëzohen.
Prej shumë kohësh, mes firmës që operon sipas ligjeve offshore të Ishujve Kajman dhe qeverisë shqiptare ka një konflikt, ku firma ka rritur ndjeshëm shpenzimet, me qëllim që të mos paguajë taksa dhe detyrime. Madje, kompania ka dalë me humbje, pasi ka rritur rrogat e drejtuesve dhe shpenzimet të pajustifikuara, konflikt i cili shkoi edhe në Arbitrazh.
Si qeveria ashtu edhe Bankers pretenduan se konflikti është i viteve 2011 deri në 2016, por me ndryshimin e pronarëve situata ka ndryshuar.
Faksimile: Bilanci i Bankers në vitin 2022, ku rezulton me një fitim prej 7 milionë lekësh
Por, a ka ndryshuar situata në vitet e fundit?! VoxNews ka analizuar bilancet e Bankers në vitet e fundit, ku firma ka dorëzuar në Qendrën Kombëtare të Biznesit pasqyrat financiare deri në vitin 2023. Dokumenti i mësipërm është një vendim i drejtuesve të shoqërisë “Bankers Petrolium Albania LTD”.
“Në përfundim të kësaj mbledhje u vendos miratimi i pasqyrave financiare të degës të Shqipërisë për vitin ushtrimor të mbyllur më datë 31 dhjetor 2022, të audituara nga auditues i pavarur, me një fitim të ushtrimit prej 7.043.821 lekë” thuhet në këtë dokument. Një fitim tepër minimal, duke marrë parasysh xhirimin e qindra milionë eurove në vit nga firma.
“Këtij vendimi i bashkëngjiten si një pjesë e tij dhe një kopje e pasqyrave. Ngarkohet z. Huanqin Xiao si administrator i degës në Shqopëri për publikimin e disponimin e këtij vendimi” thuhet në këtë dokument.
Nisur nga fitimi tepër i ulët, me të drejtë lindin disa pyetje; A janë reale? Nëse një firmë kaq e madhe ka këtë fitim, përse e vijon koncesionin? Ku shkojnë miliona eurot që xhiron? A mos vallë po ndiqet e njëjta skemë si ajo e viteve më parë, për të mos paguar tatime dhe divident?!
Faksimile: Bilanci i Bankers në vitin 2023, ku rezulton me një fitim prej 4.1 milionë lekësh
Edhe për vitin 2023 ka deklaruar një fitim tepër minimal. Ja se çfarë thuhet në këtë dokument; “Vendim i drejtuesve të Bankers, ku më datë 31 korrik 2024 u vendos miratimi i pasqyrave për vitin ushtrimor të mbyllur më datë 31 dhjetor 2023, me një fitim të ushtrimit prej 4.117.947 lekë”. Pra, për 2 vite kompania koncesionare fitoi rreth 110 mijë euro, ose sa një biznes i vogël. Të jenë të ardhura reale?
Në vitin 2023, firma ka bërë një raport të ecurisë ku rezulton se shoqëria mëmë Bankers vepron sipas ligjeve të Ushujve Kajman. Marrëveshja e Patos-Marinzës u bë efektive në mars 2004 dhe ka një afat 25 vjeçar me opsionin për t’u zgjatur dhe për pesë vite të tjera, me zgjedhjen e shoqërisë mëmë, pas miratimit të qeverisë dhe organeve rregullatorë.