Qeveria nxori një akt normativ ku urdhëronte të gjitha bizneset në bregdet të investonin në impiante të trajtimit të ujërave të ndotura. Madje, në prill 2024, zv.kryeministrja Belinda Balluku inspektoi dhjetëra hotele nga veriu në jug nëse e kishin zbatuar a jo, kjo me qëllim që ujërat e ndotur të mos hidhen të papërpunuara në det.
Akti solli gjoba nga Inspektoriati i Mbrojtjes Kombëtare të Territorit, teksa bizneset filluan të investonin privatisht. Një “gjobë” e madhe për turizmin, pasi instalimi i një impianti të thjeshtë kushton minimalisht nga 15 deri 20 mijë euro, për mos të përmendur edhe kostot e largimit të ujërave.
Por, nisma duket se është vetëm për bizneset e vogla, ata që mezi nxjerrin sezonin. Krejt e kundërta ndodh me bizneset e mëdha, apo të ashtëquajturit Investitorët Strategjikë. Ata që morën falas qindra mijëra metra katrorë në bregdet dhe po ndërtojnë vila, bare dhe hotele në pronë publike. Këtyre oligarkëve qeveria u bën rrugët, u çon ujë të pijshëm pa ndërprerje, i bën kanalizimet dhe gjithçka që ata kanë nevojë. Madje u merr edhe plehrat te dera, teksa bëhet tendera të veçantë pastrimi.
Faksimile: Shpallja e fituesit të tenderit për projektimin e impiantit të trajtimit të uëjrave të ndotur në Jalë
Një nga rastet më flagrante është investimi i qeverisë në Jalë, teksa nisma e Agjencisë Kombëtare të Ujësjellës Kanalizimeve duket se është një investim privat për biznesmenin Alban Xhillari, i cili është shpallur edhe investitor strategjik. Z.Xhillari ka disa biznese në Jalë, fillimisht me “Folie Marine”dhe më pas me fshatra të tëra turistikë, ku kodra e bukur e Jalës iu dha falas projektit “Soleil & Sea”, ku po ndërtohen vila, bare, restorante e hotele. Një zonë rezidenciale, ku mendohet që të gjitha projektet të bëhen nga privati, që nga rrugët, kanalizimet e ujërave të zeza. Por, jo në këtë rast, pasi AKUK-u ka shpallur fituesit e tenderit të projektimit.
Sipas dokumenteve që disponon redaksia e VoxNews, drejtori i AKUK-ut Klevis Jahaj, ai i cili dilte përkrah Ballukut te bizneset e vogla për t’i detyruar për impiante, ka shpallur fituesit e tenderit me objekt “studim projektim impiant i trajtimit të ujërave të ndotura dhe sistemi KUZ, Jalë”, me një fond limit 22.652.500 lekë me njëkohëzgjatje projektimi 6 muaj. Firma “A&E ENGINEERING” dha një vlerë prej 19.450.000 lekë, ndërsa fituesit “STUDIOARCH4”, “ERSI/M” dhe “C.E.C GROUP” ofruan 19.421.102 lekë. Firma e parë u skualifikua pasi s’kishte pajisje për matjet batrimetike.
Faksimile: Në dokumentet shoqëruese është edhe një hartë, e cila përkon në vendin e bizneseve të Alban Xhillarit në Jalë
Në dokumentet shoqëruse AKUK-u shkruan se projekti synon të përmirësojë situaten e grumbullimit, largimit dhe trajtimit të ujërave të ndotura për popullsinë e kësaj zone përmes ndërtimit të rrjetit të kanalizimeve të shoqëruar me një koncept të përshtatshëm për trajtimin e ujërave të ndotura.
“Jala bën pjesë në Njësinë Administrative Himarë, Bashkia Himarë dhe ka një sipërfaqe prej 36,01 ha. Një nga problematikat më të mëdha për zonën e Jalës por dhe për gjithë Bashkinë e Himarës është grumbullimi dhe përpunimi i ujërave të ndotura. Ky problem bëhet shumë serioz gjatë sezonit turistik. Në këtë zonë mungon rrjeti i kanalizimeve, ku zgjidhja e largimit të ujërave të ndotur bëhet në mënyrë individuale bazuar në gropat septike në pronën private të secilës familje, e cila në rastin më të mirë përfaqësojnë pellgje të nëndheshme betoni të mbuluara me kapak betoni, por në shumë raste ndeshen vetëm me gropa të thjeshta me kapak dhe pa veshje të mureve të brendeshme të tyre” thuhet në këto dokumente.
Më tej shkruhet se për të shmangur rrezikun e ndotjes së pellgjeve ujore nëntokesore dhe të detit duhet të parashikohet dhe ndërtimi i një impianti të pastrimit të ujrave të përdorura për banorët e zonës së Jalës. Shoqëruar me dokumentet është edhe një hartë ku do të bëhet investimi, e cila përkon me bizneset e z. Xhillari, te “Folie Marine” dhe “Soleil & Sea”, si dhe në disa kodra që po grryhen dhe po ndërtohen vila, bare dhe hotele.
“Zgjedhja e zonave për investim është bërë sipas një sërë dokumentash strategjike të hartuara që adresojnë çështje që kanë të bëjnë me kanalizimet në nivel kombëtar dhe lokal”, thuhet në dokumente, që faktojnë se bëhet fjalë për këta investitorë.
Zona ku po investohet ka qenë një “mollë sherri” mes biznesmenit Xhillari dhe banorëve të zonës, të cilët kundërshtuan ashpër shpalljen e tij investitorë. Por, ndërhyrja “nga lart” solli që banorët të ndaloheshin, procedoheshin dhe arrestoheshin për kundërshtim, teksa prona iu mor edhe me vendime tepër të dyshimta të Kadastrës së Vlorës, ku disa drejorë u detyruan që të firmosnin në favor të biznesmenëve strategjikë. Madje, pati edhe një raport të KLSH-së që sugjeronte që të hiqej Investitori nga ajo zonë. Por, jo vetëm që nuk u anulua, po sipërfaqja shtetërore iu shtua firmës “Soleil & Sea”, ku në total ka marrë 220 mijë metra.