Mikesha e 32-vjeçares shqiptare, Alba Cenkos, e cila u masakrua me çekiç nga bashkëshorti i saj, Kastriot Cenko, në banesën e tyre në Greqi dhe u mbajt e fshehur në papafingo për rreth një javë, ka folur për mediat greke për ngjarjen e rëndë. Shoqja e të ndjerës deklaroi për Protothema se ato kishin një raport të afërt me njëra-tjetrën dhe flisnin çdo ditë, por ditë e fundit ajo nuk kishte mundur të lidhej me të.
“Unë e kërkoja gjatë gjithë këtyre ditëve në celularin e saj por nuk munda ta gjeja. I dërgoja mesazhe, i telefonoja por asgjë. Isha i shqetësuar sepse flisnim pothuajse çdo ditë. E dija se diçka nuk shkonte dhe më pas gjeta ja çfarë kishte ndodhur. E di që ishin të dashuruar, nuk më kishte thënë kurrë se janë në proces ndarjeje. Nuk e dija nëse burri i saj ishte xheloz, por e kuptova që ishte një person i qetë. Një burrë normal”, thotë shoqja e 32-vjeçares.
Kastriot Cenko e masakroi të shoqen me çekiç dhe e futi në qese plastike. Më pas e fshehu për një javë në papafingon e shtëpisë. Ai e rrëfeu dje krimin e rëndë, duke pretenduar se e vrau të shoqen pasi kishte dyshime se ajo e kishte tradhëtuar me shokun e tij të ngushtë. Teksa planifikoi se si do të justifikonte zhdukjen e saj, Kastriot Cenko përdori celularin e viktimës për të mashtruar djemtë e tyre të mitur dhe familjarët e Albës.
39-vjeçari u dërgoi mesazh dy fëmijëve të mitur me numrin e nënës së tyre ku i shkruante: “Mami u largua për të fituar para, kam ikur larg”.
Tronditëse janë faktet që dalin nga krimi makabër në familjen shqiptare. Prej kohësh autori ishte i bindur se gruaja e tradhtonte me një shok. Ditën e krimit, 39-vjeçari deklaroi se kishte dëgjuar gruan e tij duke folur në telefon. Ai tha se mendoi që Alba Cenko po fliste me të dashurin e saj dhe vendosi t’i merrte jetën.