
28 urdhër-arreste janë lëshuar, ndërkohë që janë sekuestruar dhjetëra kilogramë kokainë, mbi 1 mijë bimë kanabisi, 140 kg hashash dhe mbi 200 mijë euro cash, në kuadër të një operacioni që po zhvillohet në Greqi, pas zbërthimit të komunikimeve në platformën SKY ECC.
Deri më tani, mediat greke bëjnë me dije se janë vënë në pranga 20 persona, mes tyre ka dhe shqiptarë e efektivë të policisë greke. Mesazhet e shkëmbyera kanë zbardhur dhe ngjarje kriminale. Një prej tyre është ajo e Ari Papës, shqiptarit që u ekzekutua në vitin 2021.
Urdhri për ekzekutimin e Papës dyshohet se është dhënë nga Aleksandër Sadikaj, i cili u vra në Tiranë me shpërthimin e një lënde eksplozive në makinë.
Dyshimet lindin pasi Sadikaj del në mesazhe se ka urdhëruar një tjetër atentat ndaj Papës, që ka dështuar.
Nisur nga kjo, autoritetet greke besojnë se edhe atentatin e dytë e ka organizuar i njëjti person.
Sadikaj lakohet gjithashtu si kreu i grupit kriminal që komandonte linjat e trafikut të marijuanës midis Spanjës, Shqipërisë dhe Greqisë.
Në total janë zbardhur rreth 70 episode të trafikut dhe shitjes së drogës, në periudhën mars 2020-mars 2021.
Bisedat kanë zbuluar edhe korrupsionin e zyrtarëve të burgut të Koridhalos, të cilët në këmbim të parave trajtonin disa të dënuar në mënyrë të privilegjuar, duke u futur edhe vajza në qeli./korrieri