Një nga episodet që përmendet në dosjen e SPAK dhe që ka bërë shumë bujë është emisioni i Blendi Fevziut, ku ju keni nxjerrë foton e Ardjan Çapjas me Edi Ramën. Fillimisht ju nxirrni foton në 6 shkurt 2020 në Opinion dhe pastaj Fevziu ia paraqet Edi Ramës në 13 shkurt, në një emision ku edhe ju ishit i ftuar. Të ndjekim sinkronin! Bisedat në SKY ECC përputhen me atë që ndodhi në emision.
Artan Hoxha: I kanë bërë qëllimisht të duken ashtu. Ajo foto, që kam publikuar unë është në 6 shkurt 2020. Operacioni ka filluar në 3 shkurt. Ishte operacion makiazhi, për të treguar që qeveria nuk kishte lidhje me krimin. Paraja e krimit dhe asetet u legalizuan. E di sa probleme do të kenë? Gjyqtarët, prokurorët, që i kanë çertifikuar. Nga e dija unë? E kisha informacionin. Dija që ishte fallco. Kjo foto, ka qenë publike, ka qenë në Instagram. Unë jam marrë me klanin Çapja, nga viti 2005, nuk jam marrë sot. Në 2005, ai Sueli që thonë këta nuk e di ku lunate. Strumbullari i të gjithë grupeve në Elbasan janë Çapjat, kanë sunduar për dy dekada, pa asnjë diskutim. Kanë vrarë oficerë policie. Shefin e qarkullimit të Elbasanit. Kanë vrarë shoqëruesin e Edmond Kosenit. Pse kam qenë në gjurmim? Në shkurt 2016 ndaj Çapjave u organizua një masakër, ishin 14 prej tyre në lokal. Në atë masakër u vranë tre.
Ju i thoni Ramës se jeni kërcënuar nga krimi i organizuar. Ta ndjekim! Sipas bisedave në SKY ky duhet kërcënim i inskenuar nga ju dhe Suel Cela.
Artan Hoxha: Janë shkëputur dhe nxjerrë nga konteksti. Nëse e dëgjove në fund, i them këta e kanë buxhetin më të madh se ministria jote e brendshme. Pse duhet të merresha me inskenime unë kur ne jemi kërcënuar realisht nga Çapja. Më kanë ardhur njerëz, analistë, nga Rolling Hills te Kodra e Diellit, më janë futur mik pastaj më kanë thënë do kesh probleme. Ai Çapja e di ku është sot? Në datën 19 prill të vitit 2023, pas denoncimeve të mia, është dënuar me burgim të përjetshëm. Kur kryeministri ka vajtur atje kishin vrarë dy policë. I kam thënë kryeministrit nuk mund të shkosh në një resort, vë në rrezik edhe gardën.
SPAK e paraqet si shërbim që i bëni Suel Celës. I keni shërbyer Celës apo interesit publik? Mundet ti keni shërbyer edhe indirekt atij…
Artan Hoxha: Unë kam njohur të gjithë, di shumë gjëra. Me mua nuk mbarojnë punë kaq kollaj, isha përgatitur për burg. Plumbin e fundit nuk e mbaj për të vrarë veten, nuk mbaroj punë kaq kollaj. Mua më ka ndodhur çdo gjë, nuk kam më frikë asgjë. Vijmë te pyetja, pse duhet të sajoja kërcënim unë? Unë kam këtu shkresë sekrete, ku thuhet Policia kriminale ka marrë info nga shërbim sekret dhe thuhet, i dënuari me burgim të përjtëshëm ka urdhëruar vrasjen e Artan Hoxhës. Është sekret shkresa. Unë kam detyrimin të sqaroj publikun për atë që kam bërë deri sot, për ato denoncime që kam bërë, dhjetëra hetarë kanabis, krimin e oragnizuar. Mafia më e madhe nuk është krimi i organizuar por politika.
Suel Cela dukej i interesuar për lajme të caktuara. Nga sa keni kuptuar ju pse i duhej dalja e informacioneve të caktuara? Ngrenë dhe akuza. Lekë ti ke marrë nga këta?
Artan Hoxha: Unë jam marrë me dosjen Tropoja, e di akuzën, që më kishin paguar ata që ishin masakruar. Kur nxorra 21 janarin, më pagoi Edi Rama. Tani që nxorra këto të Ramës, kush më ka paguar? Sali Berisha? Janë këta spin doktorat që mezi flasin shqip, i thonë lekëve leka, këta i thonë këta. Ke shkrime aty, që thonë e ka paguar Berisha, për të luftuar Bashën. Pra deri ku shkonin. /korrieri