Dy tendera të shpallura nga SPAK-u për blerje makinash kanë dështuar, pasi asnjë firmë nuk ka marrë pjesë. Asnjë firmë nuk do të bëjë “biznes” me Prokurorinë e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Ogranizuar, që nga ndërtimi i godinave, blerja e makinave apo edhe e mjeteve të tjera të punës.
Madje, edhe koncesionarët e makinave kanë “braktisur” SPAK-un, i cili ka krijuar një “hije” për të gjitha firmat dhe institucionet.
Por, nëse do të analizojmë emrat e përveçëm që janë pronarë të këtyre koncesionarëve, atëherë do të kuptojmë edhe arsyen, pasi këta biznesmenë kanë marrë leje për ndërtime pallatesh, resortesh, kanë marrë koncesione apo edhe janë shpallur investitorë strategjikë.
Disa prej tyre mund të jenë edhe nën hetim, për marrëdhënie me politikanë të akuzuar apo edhe për lidhje me individë me të shkuar kriminale, të ndaluar apo arrestuar me urdhër të prokurorisë.
Faksimile: Anulimi i tenderit 138 mijë euro për blerje makina elektrike
SPAK-u ka njoftuar Agjencinë e Prokurimit Publik për anulimin e tenderit të parë.
Bëhet fjalë për procedurën me objekt “blerje automjete elektrike tip SUV”, me një fond limit 138 mijë euro.
SPAK-u shkruan se arsyet e anulimit janë për shkak se “në procedurat me faza nuk është dorëzuar asnjë kërkesë e përshtatshme”.
Më shumë sesa vendimi, duket se firmat koncesionare janë bërë bllok ndaj SPAK-ut, pasi nëse do të shohësh edhe faqet e tyre të internetit, të gjitha këto kompani reklamojnë makina elektrike.
Nëse kjo procedurë do të hapej nga ndonjë institucion tjetër shtetëror, atëherë këto firma do të “luftonin” me njëra tjetrën për të fituar fondin.
Por, ndryshon puna me SPAK-un, pasi të gjitha, edhe ato që kanë mjete kineze, nuk kanë dëshiruar të bëjnë ofertë.
Faksimile: Anulimi i tenderit 154 mijë euro për blerje makina SUV
Ndërkohë, paralelisht me tenderin për blerje makina elektrike, SPAK-u ka njoftuar APP-në edhe për anulimin e procedurës për blerje makina SUV.
Objekti i kësaj procedure ka qenë “blerje automjete tip fuoristradë SUV”, me një fond limit 154.083 euro pa TVSH.
Të dyja procedurat, ajo e makinave elektrike dhe ajo e makinave SUV, kanë pasur një vlerë rreth 300 mijë euro pa TVSH.
Në tenderin e dytë, SPAK shkruan sërish se “në procedurat me faza nuk është dorëzuar asnjë kërkesë e përshtatshme”.
Pra të dyja procedurat dështuan, pavarësisht vlerës së lartë. Të jetë një rastësi?! /voxnews