Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka mbledhur provat për trafikimin e gjithsej 1,396 kg lëndë narktike nga grupi i Suel Çelës. Drogë që nëse do të përfundonte në treg do të kapte vlerën e 160 milionë euro. Sipas njoftimit zyrtar të SPAK, janë mbledhur prova për tentativën e trafikut të rreth 930 kg kokainë nga Ekuadori për në Europë. Ngarkesa është kapur në dhjetor 2020. Të tjera të dhëna janë mbledhur edhe për një ngarkesë tjetër, 466 kg kokainë që u kap në janar të vitit 2021. Kokaina edhe kësaj here vinte nga Ekuadori dhe si destinacion kishte Holandën.
Pra, sipas SPAK, organizata ka zbatuar një skemë komplekse të mbyllur të trafikut të kokainës nga Amerika Latine, më konkretisht nga Ekuadori ku edhe kishin bashkuar grupe të ndryshme kriminale, shqiptarë dhe vendas. Pasi prodhohej dhe blihej, kokaina nisej për në Europë.
“Tregjet” më të preferuara ishin: Gjermania, Mbretëria e Bashkuar, Italia, Belgjika dhe Holanda.
Si çdo ngarkesë tjetër, kokaina lëvizej me kontejnerë dhe dërgohej në portet e Antverpit dhe Roterdamit. Pasi nxirrej nga porti, ishin persona të tjerë që merreshin më pas për shitjen e kokainës. SPAK ka evidentuar edhe raste kur ka pasur tentativa për të kryer transport të lëndëve narkotike përmes aeroporteve të Belgjikës dhe Holandës.
Një pjesë e të ardhurave nga ky aktivitet kriminal investohej: a. Në blerjen e lëndës narkotike; b. Në gjendje cash-i në Shqipëri; c. Në biznese në dukje të rregullt; d. Për të mbështetur infrastrukturën operative të organizatës dhe blerje influence në segmente të veçanta të sistemit të drejtësisë, policisë, medias dhe biznesit./korrieri