Ishte mesi i marsit të këtij viti, kur një 37-vjeçar web-dizenjatore nga Barletta, Simone Del Vecchio vendosi të vinte në Shqipëri për t’iu nënshtruar një trajtimi dentar. Por pak dinte Del Vecchio se kështu për të do të niste një kalvar i vërtetë vuajtjesh.
Ishte vëllai i tij Marco që i tha “Corriere del Mezzogiorno” se Simone iu nënshtrua heqjes së të gjithë dhëmbëve brenda një dite. Madje jo vetëm kaq; po në ditën që i hoqën dhëmbët i vendosën edhe impiantet. Për të kryer të gjithë procedurën iu nënshtrua 4 herë anestezisë, madje pa kryer analiza paraprake. Pas trajtimit, i cili zgjati nga ora 14:00 deri në 18:00, ai vendosi të kthehej në dhomën e tij, në të njëjtin vend ku ndodhej klinika.
Por nuk arriti dot as në dhomë sepse, pasi piu një gllënjkë ujë, u ndje keq dhe pësoi arrestin e parë kardiak. Pak dinte se do i pasonin edhe tre të tjera.
Nga ajo ditë kanë kaluar më shumë se tetë muaj. Dhe që atëherë 37-vjeçari do të ishte gjithmonë i shtruar në spital, fillimisht në Tiranë, më pas në Bari. Gjithmonë në reanimacion!
“Ai ishte në koma farmakologjike për më shumë se një muaj deri në 1 maj kur filloi të shfaqte disa shenja përmirësimi. Ka ende probleme me kujtesën e shkurtër. Në fillim të qershorit u transferua në departamentin e sëmundjeve infektive për shkak të një infeksioni bakterial ngjitës, Candida auris, i cili e vonoi edhe më tej shërimin,”-tregoi i vëllai.
Sot, 37-vjeçari është i shtrirë në shtrat, por vigjilent.
“Ai rrezikon të mbytet për shkak të stenozës së trakesë, e cila e pengon të pijë, të hajë dhe të marrë frymë mirë. Për të përmirësuar këtë gjendje, do të duhet që t’i nënshtrohet një tjetër operacioni.” /korrieri