Eduart Reçi, biznesmeni që u ekzekutua në Tiranë dyshohet të jetë qëlluar nga dhoma e ndonjë hoteli aty pranë apo tarraca e ndonjë pallati.
Gazetarja Klodiana Lala, e ftuar në emisionin “Të Paekspozuarit”, tha se Reçi në të gjithë punën e tij si ndërtues, ka pasur një konflikt pronësie. Disa vite më parë, ai ka bërë një kallëzim penal për një rast vetëgjyqësie pranë Prokurorisë së Tiranës, pasi kishte problem me pronarin e një toke pranë pallatit që ai ka ndërtuar në rrugën e Elbasanit.
Sipas Lalës, ekzekutimi i biznesmenit dyshohet se është bërë nga një qitës profesionist, pasi është goditur nga distanca, por ‘përgatitja’ është bërë një javë para se të kryhej ekzekutimi. Po ashtu, edhe gazetari Spartak Koka ka zbardhur një tjetër ngjarje ku ishte i përfshirë biznesmeni.
Në emisionin “Opinion”, Koka zbuloi se 13 vjet më parë, në të njëjtën datë kur edhe u ekzekutua, pra 13 nëntor, Eduart Reçi ishte dhunuar në banesën e tij nga 6 persona. Edhe në këtë rast kishte një konflikt për pronësinë./korrieri