Deputeti i Partisë Demokratike Gazment Bardhi kërkon nga SPAK që të hetojë ministren Belinda Balluku, siç thotë ai, për aferat e mëdha me shitblerjen e energjisë elektrike.
Bardhi thotë se Shqipëria ka sot çmimin më të lartë të energjisë elektrike në rajon, edhe më të lartë se Kosova, dhe se çdo vonesë dhe mosveprim ndaj abuzimeve rëndon edhe më tej xhepat e shqiptarëve.
Ai thotë se në të paktën një rast, KESH ka blerë 20 milionë euro energji elektrike për 13 ditë, me procedura sekrete dhe duke shmangur bursën shqiptare.
Denoncimi i Bardhit:
Shqipëria ka çmimin më të lartë të energjisë elektrike në Rajon, sepse paratë e qytetarëve abuzohen. Ndërsa qyetarët e Kosovës paguajnë çmimin e energjisë 7.4 euro/100 kËh, qytetarët shqiptarë paguajnë 11.1 euro/100 kËh.
Kjo është pasojë direkte e mungesës së transparencës dhe abuzimeve në procesin e shitblerjes së energjisë dhe shmangies së detyrimit për të përdorur Bursën e Energjisë, që sjellin pasoja të rënda financiare për Buxhetin e Shtetit sepse energjinë e blemë shtrenjtë dhe e shesim lirë. Kjo është kriminale dhe përgjegjësi e drejtpërdrejtë e Ministres Belinda Balluku.
Kjo skemë kriminale duhet të zbardhet dhe ndëshkohet nga SPAK. Çdo vonesë apo mosveprim rëndon mbi xhepat e qytetarëve të varfër shqiptarë, që u shtohet çdo ditë kosto e jetesës për shkak të babëzisë për të vjedhur çdo gjë dhe kudo!