Ditën e sotme është zhvilluar seanca gjyqësore për Dan Hutrën, autorin e vrasjes së 3 grave dhe plagosjes së 3 të tjerave, njëra prej viktimave Etleva Kurti, motra e Vladimir Kurtit.
Ky i fundit është paraqitur në Gjykatën e Tiranës për të dhënë deklarime në cilësinë e dëshmitarit.
Seanca e kësaj të enjte është shoqëruar me tensione e tone të forta, teksa Kurti, refuzoi të jepte deklarime, duke i vendosur autorit të vrasjes së motrës së tij epitete, ndërsa tha se gjaku i saj nuk falet.
‘Gjaku i motrës sime nuk thahet, nuk e fal. Ai është vrasës, ka futur në dhe 4 gra, refuzoj të japë deklarime përballë këtij monstre’, deklaroi Vladimir Kurti në sallën e gjyqit, teksa në kafazin prej qelqi, Dan Hutra u shfaq i qetë dhe duke qeshur në një kohë që dëshmitari fliste.
Seanca u shty për në datën 5 dhjetor në orën 12:30, ku do të vijojë procesi gjyqësor, për autorin e vrasjes së trefishtë, ngjarje të cilën e kreu kur sapo kishte dalë nga burgu ku ishte dënuar për vrasjen e ish-bashkëshortes.
40-vjeçari Dan Hutra po gjykohet për masakrën e 1 marsit të vitit të kaluar ku brenda pak orësh plagosi me armë zjarri shtetaset Elena Kujtime Hysa, (përkatësisht ish-bashkëjetuesja e tij dhe nëna e saj) dhe ka vrarë Mevlute Hysën 30 vjeçe, (motra e ish-bashkëjetueses së tij) dhe Hasime Dafku 30 vjeçe, (e fejuara e vëllait të ish-bashkëjetueses).
Pas kësaj ngjarjeje të ndodhur në Kodër Kamëz, autori lëvizi në rrugën ‘Besëlidhja’, Bathore ku ka ndaluar te banesa e familjes Kurti, duke vrarë me armë zjarri shtetasen Etleva Kurti, 31 vjeçe motrën e Vladimir Kurtit.
Mes këtij të fundit të dënuar përjetë për një vrasje në Kamëz, dhe Dan Hutrës, kishte patur problem në burg, teksa Dan Hutra i vrau të motrën dyshohet në shenjë hakmarrjeje. Në vitin 2007, Dan Hutra ishte dënuar pasi ka vrarë me armë ish-gruan Dafina Havalja, të cilën e goditi dy herë me thikë.