Teksa kanë kaluar më shumë se dy javë nga masakra me katër viktima që tronditi vendin, policia ende nuk ka dalë me një deklaratë zyrtare se kush është personi i tretë i cili ndodhej në makinën e Hamza Licit dhe Arlind Bushatit.
Pavarësisht se në media është raportuar gjerësisht se në makinë ndodhej Ibrahim Lici, i cili më pas u largua nga vendi i ngjarjes, policia ende nuk e ka konfirmuar.
Gazetarja Anila Hoxha ditën e sotme ka deklaruar se ka dyshime që Ibrahim Lici ndodhet në Tiranë. Gjithashtu ka dyshime se ai është ndihmuar nga një person tjetër për tu larguar nga vendi i maskarës.
“Policia nuk ka dalë me version zyrtar se kush është personi që shfaqet në skenën e krimit, jo zyrtarisht nga autoritet e hetimit dhe drejtësisë shqiptare pranohet se ai është Ibrahim Lici.
Pas masakrës që tronditi vendin, janë kryer një sërë hetimesh, për të kuptuar se si ai u largua nga vendngjarja. Ka dyshime se ky shtetas mund të ketë qenë i plagosur dhe ndaj ka pasur disa verifikime të klasifikuara si të sekretit tepër të lartë, ku përfshihen vëzhgime dhe përgjime.
Policitë lokale po kryejnë veprime sekrete për të mësuar se kush janë personat që arritën ta mjekojnë atë. Ka disa versione jo zyrtare se personi ka ngelur i plagosur mund të jetë mjekuar nga mjekë në jug të vendit, por ka gjithashtu dyshime se aktualisht gjendet në Tiranë.
Duke iu referuar burimeve shumë të besueshme pranë grupit të hetimit, mund të them se është identifikuar edhe për një person të tretë që konsiderohet si ndihmës në këtë atentat”, tha gazetarja në emisionin Breaking.
Më 30 tetor persona ende të paidentifikuar vranë me breshëri plumbash Arlind Bushatin, Hamza Licin, të cilët dyshohet se ishin dhe shënjestra e këtij atentati. Gjithashtu viktima mbetën Flutura dhe Bashkim Basha, të cilët udhëtonin me një motocikletë, e cila u përplas nga Benzi me të cilin lëviznin Bushati dhe Lici. Autorët, të cilët dyshohet se kanë qenë tre, nuk janë identifikuar ende nga policia.