Edmond Haxhinasto u paraqit dje në ambientet e Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.
Korrieri mëson se Haxhinasto është pyetur në lidhje me dosjen Meta-Kryemadhi, pasi eksponenti i Partisë së Lirisë, i cili në të shkuarën ka mbajtur disa poste si drejtues i ministrive.
Ai ka dhënë shpjegime esdhe për SMS-të me Kryemadhin dhe Piro Xhixhon në lidhje me futjen e kompanisë UNIFI të Adrian Shatkut në shërbimin e tranzitimit të thirrjeve për Vodafone Albania, gjë që ndodhi me ndihmën teknike të kompanisë Info Telecom, ngjarje për të cilën Korrieri ka raportuar gjerësisht gjatë këtyre javëve. LEXO KËTU
Pasi ka dalë nga ambientet e SPAK, Haxhinasto tha se u pyet si dëshmitar.
“U pyeta si dëshmitar”, tha Haxhinasto pasi doli nga SPAK.
Gjatë qeverive të ndryshme, Haxhinasto ka qenë në detyrën e Ministrit të Jashtëm të Republikës së Shqipërisë (vitet 2010–12); nga viti 2012 deri në vitin 2013 ka mbajtur postin e Ministrit të Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjisë; ndërsa nga viti 2013-2016 ka mbajtur detyrën si ministër i Transportit dhe Infrastrukturës.
Paraprakisht, u raportua se Haxhinasto do të merrej në pyetje lidhur me mesazhet e gjetura në celularin e Monika Kryemadhit për fibrat optike të UNIFI. Në atë kohë, kompetenca ishte e ministrisë që drejtonte Haxhinasto.
Për dosjen në fjalë, është vendosur në pranga presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, mbi të cilin rëndojnë 3 akuza, të njëjtat ka edhe ish-bashkëshortja e tij, Monika Kryemadhi. Por kjo e fundit për shkak të gjendjes shëndetësore është lënë në masën e sigurisë “detyrim paraqitje”./Korrieri