Gjykata e Posaçme ka lënë në burg 47-vjeçarin Leonard Luzi alias Leonard Sejno, i cili njihej ndryshe si “Daku”. Luzi u esktradua dje nga Spanja, pasi organizoi dhe porositi Amarildo Nikollin që të ekzekutonte Ervis Matodashaj dhe Inez Hajrulla. GJKKO i caktoi Luzit, masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve materiale për të kryer vrasje” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, “të kryera në bashkëpunim në formën e grupit të strukturuar kriminal”.
47-vjeçari Leonard Luzi, i cili njihej edhe si “Daku”, u arrestua nga autoritetet spanjolle pasi ishte shpallur në kërkim për atentatin që nuk u finalizua kurrë ndaj Inez Hajrulla dhe Evis Matodashajt.
Si u planifikua vrasja?
Vrasja Ervis Matodashaj dhe Inez Hajrulla dështoi sepse në gusht të 2023, në orën 12:47, në lagjen “Uji Ftohtë”, Policia ndaloi Amarildo Nikollin. Ky i fundit, kishte tërhequr vëmendjen e uniformave blu të qytetit, pasi në një ditë të nxehtë gushti, qarkullonte nëpër Vlorë i veshur me një xhup për të fshehur tatuazhet që kishte në trup. Por metoda që zgjodhi për të mos u identifikuar nga kamerat e sigurisë në zonë, e evidentoi tek efektivët e Policisë që ndërhynë në kohë për të ndalur atentatin. Shënjestrat ishin dy: Ervis Matodashaj dhe Inez Hajrulla! Sipas SPAK, eleminimi i dy personazheve të njohur në Vlorë, do të bëhej për hakmarrje, dhe për dominimin e tregut të lojërave të fatit.
Nga hetimet e Prokurorisë së Posaçme, rezulton se në datën 22.03.2013, në qytetin e Vlorës, është vrarë me armë zjarri Erigert Zejno. Për ngjarjen u arrestuan Ervis Matodashaj, Nadir Ferko dhe Altin Sejdiraj. Por një vit më vonë, Prokuroria e Vlorës pushtoi çështjen për Matodashajn, me pretendimin se kishte mungesë provash. Nga “zbërdhimi” që SPAK i bëri çështjes, doli në përfundimin se Leonard Luzi (Zejno) është kushëri nga ana e babait me shtetasin Erigert Ferik Zejnon. Duke shtuar si bonus edhe hakmarrjen për vrasjen e kushëririt, “Daku” rezulton se është paguar nga një person, që deri më tani nuk është identifikuar me emër, për të eliminuar fizikisht Ervis Matodashaj dhe Inez Hajrulla.
Kështu, “Daku” mblodhi grupin e tij. Për të kryer detyrën që kishte marrë përsipër kontaktoi me Amarildo Nikollin, Muharem Koroveshin (alias Muharem Ismaili alias Muharem Myftaraj) dhe Erio Zejnon. Këta dy të fundit kishin rolin e ndihmësit. Si njohës të zonës i kanë siguruar armët Nikollit dhe e kanë ndihmuar në terren për të identifikuar ata që do të ishin shënjestrat e tij. Pasi i riu nga Shkodra të kryente atentatin, sërish këta të dy do ta ndihmonin që të largohej nga vendi i ngjarjes.
Tani që është në pranga, pritet që të mësohet e rrëfyer në vetë të parë se përse Leonard Luzi kërkonte me kaq ngulm të vriste sidomos Inez Hajrulla? Kjo pasi për këtë vrasje do jepeshin gjithsej 500.000 euro. Në rrëfimin e Nikollit flitet për një person që jeton në Dubai dhe që kërkonte me vendosmëri eliminimin e ‘Sakatit’.