Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje në Kosovë, Mimoza Kusari Lila ka njoftuar se 3 javë më parë ka zbuluar se ishte diagnostikuar me kancer në gji. Lajmin e ka bërë me dije vetë në rrjetet sociale duke postuar një foto nga spitali. Krahas fotos, Kusari-Lila shkruan se i është nënshtruar një operacioni në Spitalin e Prishtinës dhe inkurajon zonjat e tjera që e ndjekin që të kontrollohen periodikisht.
“Detektimi i hershëm shpëton jetë! Të dashura mike dhe miq. Dua të ndaj një lajm me ju. Sot dola nga Qendra Klinike Universitare e Kosovës – Klinika e Kirurgjisë Torakale pas operimit të kancerit të gjirit. Tri javë më parë, gjatë një kontrolli rutinor të cilin e bëj çdo vit, u diagnostikova me kancer të gjirit, dhe pas rekomandimeve të mjekëve në Klinikën Universitare, vendosëm për operacion dhe trajtim.
Për të gjitha vajzat dhe gratë që nuk kanë bërë ekzaminimin e gjirit gjatë muajit tetor të ndërgjegjësimit për parandalimin e kancerit të gjirit, JU LUTEM ta bëni sa më parë. Kontrolli rutinor mund të realizohet në qendrat e mjekësisë familjare, në spitalet rajonale dhe në të gjitha vendet ku ofrohet mamografia. Detektimi i hershëm shpëton jetë, ndërsa vonesat për zbulimin dhe identifikimin e hershëm mund të sjellin pasoja shumë më të rënda.Fatmirësisht, unë e zbulova në një fazë të hershme dhe trajtimi është shumë më i lehtë sesa në fazat e avancuara.”-shkruan deputetja.