Subjektet qiramarrëse të pasurive shtetërore mbi 500 metër katrorë, të dhëna me qira sipas kontratave me tarifën “1 euro/kontrata”, kanë të drejtë të kërkojnë blerjen e pasurive në fjalë, nëse nuk është pronë shtetërore e patjetërsueshme. Në Fletoren Zyrtare janë publikuar ndryshimet dhe shtesat në vendimin e Këshillit të Ministrave, “Për kriteret e vlerësimit të pronës shtetërore,që privatizohet apo transformohet, dhe procedurën e shitjes”.
Sipas këtyre ndryshimeve që tashmë kanë hyrë në fuqi, për të përfituar sa më sipër, qiramarrësi duhet të plotësojë dy kushte. Së pari, vlera e plotë e investimit të parashikuar në kontratën e qirasë për t’u kryer nga qiramarrësi është mbi 5 milionë euro dhe së dyti, qiramarrësi duhet të ketë investuar të paktën një vlerë më të lartë sesa 750% të vlerës së pasurisë që kërkohet të privatizohet, brenda afatit për realizimin e investimit, sipas parashikimeve të kontratës së qirasë.
Në kontratën e shitjes, blerësi do të ketë detyrimin për të mos tjetërsuar te të tretët pronën e privatizuar, derisa të ketë realizuar vlerën e plotë të investimit të parashikuar në kontratën e mëparshme të qirasë. Gjithashtu, në kontratë përcaktohet edhe e drejta e blerësit për të zhvilluar pronën në përputhje me projektin e përcaktuar më parë dhe me legjislacionin për planifikimin dhe zhvillimin e territorit.
Nëse detyrimi për realizimin e investimit nukpërmbushet brenda afatit, ministria përgjegjëse pas tejkalimit të këtij afati dhe pasi të ketë administruar aktin e vlerësimit pasuror që vërteton mospërmbushjen e tij sipas procedurave, i njofton brenda 10 ditëve palës tjetër zgjidhjen e njëanshme të kontratës së shitjes dhe për rrjedhojë, kalimin e pronësisë në favor të shtetit.