Detaje të reja janë zbuluar nga vdekja e 13-vjeçares në Itali. Mësohet se një person, identiteti i të cilit nuk bëhet me dije, ka dëshmuar në polici se pa Aurorën dhe të dashurin e saj 15-vjeçar të debatonin në ballkon pak para se ajo të ndërronte jetë.
“Ai po e godiste dhe ajo po e shtynte” mësohet të ketë thënë dëshmitari në polici.
Sipas hetimeve përfundimtare Aurora, pasi u shty mbi parmakët e ballkonit në katin e shtatë të pallatit ku banonte, në mënyrë të dëshpëruar u përpoq të kapej pas parmakut, por më pas i dashuri i saj e goditi disa herë, me synimin për ta rrëzuar. Provat rrethanore ndaj 15-vjeçarit u përkeqësuan ndjeshëm për shkak të një sërë elementësh të mbledhur menjëherë më pas nga njësia hetimore.
Mediat italiane shkruajnë se tashmë hetuesit kanë në duar edhe një video ku tregohet se si i dashuri i saj 15-vjeçar godet dhe dhunon të voglën shqiptare. Ngjarja është regjistruar në një stacion autobusi dhe shihet qartë momenti kur disa bashkëmoshatarë ndërhyjnë dhe shpëtojnë 13-vjeçaren nga duart e të dashurit të saj.
Fillimisht në media u raportua se Aurora Tila u vetëhodh nga kati i 7 ku jetonte. Por, motra e saj ka hedhur akuza të forta ndaj të dashurit të 13-vjeçares. Ajo pretendon se 15-vjeçari me inicialet M.S., e ka shtyrë 13-vjeçaren dhe më pas ka larë duart dhe ka telefonuar policinë.