4 janë personat që janë të angazhuar për ekzekutimin mafioz të Hamza Licit, vetëm 23-vjeç! I riu, dje sapo ishte kthyer nga Mali i Zi, ku edhe kishte shkuar bashkë me mikun e tij, Arlind Bushati. Për arsye që nuk dihen, në një moment ka vendosur që të shkonte në një zonë që e kishte të ndaluar…në Dobraç, zonë e cila njihet si territor i familjes Bajri. Lici dhe shoku i tij kanë ardhur nga Shkodra dhe në momentin që janë futur për në drejtim të Dobraçit, paralel me ta ka qenë mjeti i autorëve, një Land Rover.
Për 150 metra, 70 sekonda, dy persona kanë qëlluar pa pushim drejt mjetit “Benz” me targa kroate duke ekzekutuar në vend Licin. Bushati, i cili vdiq disa orë më pas në spital, tentoi që t’u kundërpërgjigjej me 3 pistoletat që kishte në makinë por nuk ia doli që të ndalte “shiun” e plumbave që po qëllohej drejt tyre.
Pasi ishin të sigurtë që punën e kishin kryer me sukses, autorët morën rrugën për në Koplik, ku në Grudë të Re i vunë zjarrin mjetit, bashkë me armët brenda. Aty, besohet se një tjetër person i ka marrë dhe i ka larguar në një strehë. Por se ku kanë shkuar, i mbetet Policisë që ta zbulojë. Deri më tani uniformat blu kanë në duar pamjet e kamerave të sigurisë, armët dhe makinën e djegur.
Por me orët që kalojnë, një tjetër version del në dritë. Në automjet me Hamza Licin dhe Arlind Bushatin ndodhej edhe një person i tretë. Por se kush është dhe a ka shpëtuar paq nga plumbat, kjo ende nuk dihet. Deri më tani, ky version nuk është i konfirmuar nga Policia e Shkodrës, që deri më tani nuk ka dalë me një tjetër informacion zyrtar lidhur me ngjarjen.
Shumë pak dihet edhe për gjendjen shëndetësore të 67-vjeçarit Bashkim Basha, e shoqja e të cilit ndërroi jetë në vendin e ngjarjes. Pas të shtënave, makina me të cilin lëviznin Lici dhe Bushati humbi drejtimin dhe shkaktoi aksident, duke përplasur një motoçikletë. Në të udhëtonin një çift bashkëshortësh, Flutura dhe Bashkim Basha. Si pasojë e përplasjes, humbi jetën në vend Flutura Basha, ndërsa bashkëshorti i saj ndodhet ende në spital, në gjendje kritike.