Hasmëria mes fisit Bajri dhe ‘Licve’ në Shkodër nuk mbahet mend kur ka filluar dhe po aq i paqartë është fundi! Ndër vite, dy familjet më në zë për Policinë e Shkodrës kanë pasur marrëdhënie herë të paqta, madje dhe me lidhje kumbarie me njëri-tjetrin, herë të tjera ishin në luftë…dhe kjo nuk ishte një sekret. Kulmin këto përplasje e kapën në vitin 2018 ku për herë të parë qyteti mund të krahsohej lirisht me Palermon. U vendos rekord! Në 2 muaj kishte 6 të vrarë me armë zjarri dhe 2 të zhdukur. Kaq ishin për sezonin e verës por numri i kufomave vetëm sa shtohej! Në qendër të përplasjeve ishin dy fiset Lici-Bajri, përplasje që duket se vijojnë edhe sot me ekzekutimin e më të heshturit të familjes, Hamza Licit.
Korrieri do të sjellë për ju, një përmbledhje të të gjithë ngjarjeve që kanë shënjuar përplasjen mes këtyre dy grupeve, zjarr që duket se nuk do të shuhet lehtë!
Historia e ngjarjeve kriminale në Shkodër nisi janarin e vitit 2018 kur një sasi e konsiderueshme me tritol shpërtheu në atentatin ndaj të ashtuquajturit i forti i Shkodrës, Lulzim Kulla, në lagjen “Rus” në Shkodër. Pamjet e shpërthimit i ngjanin si një akt terrorist ku 6 persona, krejt të rastësishëm mbetën të plagosur, por Lul Kulla, jo. Ai shpëtoi dhe është mirë! Të pafatët që u gjendën edhe njëherë në vendin dhe në kohën e gabuar pësuan lëndime të rënda. Njëri humbi këmbëm, tjetri dëgjimin!
Për atentatin ndaj Lulzim Kullës, sot janë në pranga 3 të rinj nga Elbasani, të cilët janë identifikuar si: E. Çopja, A. Lulaj dhe S. Teta. Ata dyshohet se janë paguar për të eleminuar atë që cilësohej si “i forti” i Shkodrës, por nuk ia dolën. Por Kulla nuk ishte fundi i përplasjes, ishte vetëm fillimi!
Më 18 qeshor 2018, u vra Mehdi Kavaja. Vrasja ndodhi në lagjen “Tophanë” aty ku Mehdi Kavaja punonte prej shumë vitesh në servisin e tij me riparimin e dorezave të mjeteve.
-Vrasës nuk ka!
Në 15 korrik po të vitit 2018, poshtë banesës që kishin me qira, ekzekutohen çifti Boran Bërcana dhe Silvi Ndoci. Ngjarja u bë më makabre kur në prehërin e të resë që kishte dhënë jetë u gjet fëmija 3-vjeçar. Për mrekulli, i mituri i kishte shpëtuar plumbave.
-Vrasës nuk ka!
Më 10 gusht 2018 vritet në atentat 53-vjeçari Fatbardh Lici, ndërsa ndodhej në lagjen e tij. Kjo do të ishte prekja më e afërt për familjen e Kirasit. Fatbardhi është vëllai i Mustafa Licit dhe xhaxhai i të ndjerit sot dhe dy vëllezërve të tij…
-Vrasës nuk ka!
Në 23 gusht u zhduk Agron Mollaj dhe Gëzim Hysa.
-As sot nuk ka asnjë shenjë prej tyre.
Më, 1 shtator 2018, u vra 30-vjeçari Arjan Ferracaku, teksa ai ishte duke kalëruar. Dy muaj më pas, më 14 nëntor 2018 u ekzekutua në Shkodër edhe kushëriri i Arjan Ferracakut, Fatos Ferracaku (u plagos edhe Fatos Mehaj).
Viti 2019 nis me vrasjen, më 20 mars 2019, të biznesmenit Fernand Polia, i njohur si “Nardi i Bujtinave” të Thethit. Për vrasjen e tij janë prangosur Kristjan Sulaj (Martini), vëllai i tij Alfred Martini 20-vjeç dhe dy vëllezërit e tjerë Gilbert dhe Kleandro Toma. E kaluara e errët në Itali, ku qëndroi për disa vite si emigrant, dyshohet të jetë shkaku që i mori jetën 35-vjeçarit. Polia rezulton të ketë qenë i përfshirë në disa aktivitete kriminale në vendin fqinj, pra në trafik kokaine dhe shfrytëzim prostitucioni në lokalet e natës në zonën e Trevisos, në një aktivitet kriminal përfitimet e të cilit shkonin deri në 800 mijë euro.
Krimi goditi sërish ku më 30 mars 2019 u vranë pranë shtëpisë së tyre, dy vëllezërit: Astrit Bilali dhe Ibrahim Bilali, babai dhe xhaxhai i Astmer Bilalit. Për atentatin e dyfishtë u shpall në kërkim Ibrahim Lici dhe u arrestuan, Arsen Stojku dhe Mislim Rama.
Nga 2019-2022 ka pasur sërish vrasje të tjera në Shkodër, por me sa është zbuluar nuk është provuar se ka pasur prapavijë të hakmarrjes mes dy bandave. Më poshtë në artikull do shohim sesi “koka të mëdha” po vëzhgoheshin për t’u eliminuar gjatë kohës kur vendi ishte në “lockdoën” nga pandemia e koronavirusit.
Në 2020 u vra Ridvan Hyseni, i cili u qëllua për vdekje nga vëllezërit Duel dhe Hydajet Mehmedaj, të cilët pak më parë ishin konfliktuar me djalin e tij. Mehmedajt konsiderohen si fis “i fortë” në zonën Shkodrës dhe janë nipat e Gëzim Mehmedajt, i cili në vitin 1992 vrau efektivin e RENEA-s, Arben Ujka. Të njëjtat burime bëjnë me dije se po kjo familje ka marrëdhënie të forta me atë të Ibrahim Licit, i cili është një prej të dyshuarve për vrasjen e vëllezërve, Astrit dhe Brahim Bilali. Por nga sa u provua nga Policia e Shtetit, vrasja ka ardhur si pasojë e një sherri të çastit.
Një vit më vonë u vra Bardhok Pllanaj, ‘Kumbari’ i Shkodrës! Pllanaj u ekzekutua më 4 prill në lagjen Dobraç të Shkodrës. Autorët e ndoqën dhe ecën paralelisht me të për 150 metra dhe zbrazën 120 plumba kallashnikovi me mjetin “Range Rover”, ku dhe ndodhej ‘Kumbari i Shkodrës’. Më pas dogjën mjetin dhe u larguan. Edhe për këtë ngjarje nuk ka të arrestuar.
Në 2022 në zonën e Livadheve gjendet trupi i pajetë i Endri Mustafës, fill 3 ditë pasi familja e kishte denoncuar si të zhdukur. I riu u gjet i masakruar dhe me një plumb në gojë. Trupi i tij ishte tërhequr zvarrë për disa metra, ndërsa autori kryesor i vrasjes deri më tani sipas Policisë së Shtetit është Ibrahim Lici, e vetmja ngjajre për të cilën i riu nga Shkodra është ende në kërkim. Viktima ishte një emër i njohur për Policinë e Shkodrës. Ai është përfshirë në një sërë ngjarjesh kriminale që prej vitit 2009 kur ishte dënuar për plagosje dhe dyshimet kryesore të autoriteteve janë se ai është vrarë për shkak të luftës mes bandave në Shkodër dhe faktit se ai njihej nga autori si “ushtari” i familjes Bilali. Por edhe pse Ibrahim Lici akuzohet nga policia si vrasës, i ati duke ndjekur rregullat e fqinjësisë shkoi shkuar për ngushëllim te familja e të ndjerit, në një situatë të pazakontë ku edhe gruaja e Mustafës e ka hequr fajin nga i biri. Madje doli në konferencë për mediat!
DEKLARATA E PLOTË NGA MUSTAFA LICI:
Bashkëpunëtori i krimit që është i mitur është punëtor i Asmer Bilalit dhe me grupin e Bajrave. Atij i kanë thënë që të thotë se krimin gjoja e kanë kryer me Ibrahim Lici. Ne jetojmë të mbrojtur nga kamerat. Është një skenar i përgatitur nga Policia, por është një blof i radhës që do dështojë. Më datën 17 ky drejtor policie ka hequr nga kërkimi Ibrahim Licin dhe tani e ka shpallur prapë. Ky është i njëjti krim si te Ferracaku dhe vëllai i të miturit ka folur edhe atëherë duke thënë së vrasjen e kanë bërë Ibrahim Lici, por ne jetojmë me kamera.
Kjo është një flluskë. Këto shërbëtorët punojnë pastrues bajgash te Astmer Bilali dhe punëtor të Bajrave. Familja e di shumë mirë se kush ia ka vrarë djalin dhe kush e ka nxjerrë jashtë në telefonatë. Krimi është sofistikuar në atë mënyrë sa jetojmë në epokën e horrave dhe vagabondëve ndërsa kanë mbështetjen e Policisë se ndryshe nuk kishin arritur deri aty. Ne kemi armë shumë të fuqishme para Policisë pasi kemi kamera ku jetojmë dhe ku ushqehemi dhe mos e merrni për bazë këtë shpifje. Është fatkeqësi që jetojmë në epokën e krimit dhe horrave, por nuk kemi çfarë të bëjmë. Flluskat e sapunit do bien shumë shpejt poshtë ashtu siç kanë rënë të tjera vrasje që i kanë ngarkuar. Rrjedhin këto kriminel dhe është e habitshme si janë bashkuar gjithë bashkë. Gjyshet dhe katragjyshet këto familje i kanë patur prostituta i bashkon prostitucioni, ky mikrob i bashkon ata në të gjithë fenomenet. Unë kam qenë të familja e viktimës për tu pjekur, u përqafova me nënën e tij, dajat, xhaxhallarët dhe ata më thënë se e dimë kush na e bëri dhe janë të gatshëm të tregojnë se çfarë marrëdhëniesh kanë me familjen tonë. Kjo është bërë vetëm nga frika e vdekjes, kanë fitur një të mitur duke e paguar për të dënuar një tjetër, por kjo nuk ka si të ndodhë.
Dyshimet nga fqinjët i hoqi edhe bashkëshortja e Endri Mustafës, Ingridi. Për mediat, e reja se i dyshuari kryesor për vrasjen nuk është Ibrahim Lici, duke nënkuptuar se në fakt, goditja i kishte ardhur nga tjetër kush.
Ngjarje të reja që shënjuan Shkodrën ishte vrasja e Nazmi Bandulës; vrasja e Elis Roshkodolit; ekzekutimi i Ersild Ishmit dhe Arsid Hoxhës, 22 vjeç (burri i motrës i Ersildit), i plagosur mbeti Zyber Zagrad, 26 vjeç kamarier në hotelin “Holiday” në plazhin e Velipojës, banues në Dibër. Për ngjarjen u shpallën në kërkim Edmir Frroku dhe Gëzim Frroku. Po këtë gusht, sipas burimeve të policisë kriminale në Shkodër, u tentua ekzekutimi i Elio Hatos, i cili lëvizte me një mjet tip “Audi” me targa gjermane. Mjeti u gjet në Bushat! Fillimisht për të shtënat me armë në Vaun e Dejës, Policia përmes burimeve dhe te gazetarët lokalë, dha lajmin se kishte identifikuar personat që kishin qëlluar në drejtim të mjetit të blinduar. Sipas këtyre informacioneve, ata ishin dy vëllezër me mbiemër Prendi banues në fshatin Rranxa, dhe një bashkëpunëtor i tyre. Nga gushti deri sot…qetësia u kthye në një masakër që i mori jetën një të pafajshmeje.
Më lart përmendëm vitet e pandemisë, nga e cila u duk se edhe krimi kishte frikë. Epo përkundrazi! Mesazhet e çkoduara të aplikacionit “SkyECC” zbuluan planet e Behar Bajrit për të hequr qafe pikërisht atë, “Fantazmën”, Ibrahim Licin. Ndoshta dhe nga ky i fundit ka pasur plane, por deri më tani SPAK nuk ka dalë asnjë bisedë e palës tjetër.
Gjatë muajve të verës 2020, Behar Bajri ndiqte hap pas hapi kundërshtarin e tij…sigurisht për ta vrarë.
Vrasja e Ibrahim Licit dhe Dorian Dulit ishte kthyer ndër detyrat primare të kapo-bandës së Shkodrës, Behar Bajri. Ai sapo ka dalë nga burgu në 29 qershor 2020, nuk humb kohë dhe i vendos vetes detyrë për të vrarë Licin dhe Dulin. Për t’ia arritur qëllimit, Bajri kontrakton disa vrasës me pagesë deri tek Nuredin Dumani, madje lidh një marrëveshje me Durim Bamin dhe Marklen Hakën, për shkëmbim kokë më kokë të kundërshtarëve të tyre, ku Bami-Haka marrin përsipër të vrasin Dorian Dulin, ndërsa Behari merr përsipër të vrasë për llogari të Bamit, ish-deputetin e PS-së në Lezhë, Arben Ndoka.
Mes bisedave të zhvilluara në aplikacionin “SKY” Behar Bajri flet me një personazh të botës së krimit duke i thënë se është duke u munduar të zërë Braçen, (Bëhet fjalë për Ibrahim Licin).
Behar Bajri: Brahimi (Ibrahim Lici) qenka në kërkim
Pëllumbi: Sot do të takoj këtë shokun e policisë në Shkodër dhe ti them për ndonjë info për Brahimin.
Behar Bajri: Nëse e merr vesh premtoi sa lekë don veq ta thojn shpin dhe sa lekë don hap gojën, kudo që të jetë hyj e vras. Marr njerëz boll dhe i organizoj vetëm tek shtëpia e vet të mos jetë.
Më datë 09.07.2020, ora 23.07 Behar Bajri i shkruan Pëllumbit duke i thënë që ma pyet atë shokun (Ardit Hasanbegaj) për “Braçen” (Ibrahim Lici) nëse është në kërkim, sepse më tha dikush që është në kërkim.
Në 24 korrik 2020 Behar Bajri i shkruan personit tjetër: “…vëlla jam tu mundu me zan Braçen tash…”.
Ndërsa personi ia kthen: “…vëlla me zan atë ke marrë Shkodrën, e ke ba Shkodrën Republikë, me hi me pasaportë si në Vatikan…”.
Dhe Behari ia kthen: “…tesh po pres dita ditës…”.
Kurse personi tjetër vijon t’i shkruajë si më poshtë: “…Allahu të ndihmoftë jarabi, inshAllah sa ma shpejt ja merr hakun Boranit, ti pushoj shpirti dhe ati rahmetlis…”.
Por mes shumë informacioneve të koklavitura që mblidhte grupi dhe ja çonte më pas Behar Bajrit, sërish ky i fundit s’kishte gjë të konfirmuar saktë ose në të kundërt e kishte informacionin e vendndodhjes shumë orë me vonesë, duke e bërë të pamundur kapjen dhe goditjen në befasi të armikut të tij. I vetmi rast ku grupi kishte informacion të saktë ishte vendndodhja e Ibrahim Licit, Dorian Dulit dhe Genc Tafilaj në varrimin e Indrit Rrajës në Fushë-Krujë, por nuk guxuan ti godisnin pasi këta ishin me mjete të blinduara dhe të armatosur.
Për gjithë mesazhet që u publikuan, në SPAK u thirr edhe Mustafa Lici, babai i Muhamedit, Hamzait dhe Ibrahimit. Ai shkoi dhe foli para prokurorit Arben Kraja, lidhur me miqësinë dhe më pas përplasjen e vazhdueshme deri në viktima mes familjes së tij dhe dy fiseve Bajri dhe Bilali. Për herë të parë, dikush “I brendshëm” dha detaje se përse ndodhi krisja mes fisit Lici dhe dy familjeve Bajri dhe Bilali. Aq më tepër kur i ndjeri, Fatbardhi, ishte shok i ngushtë i Behar Bajrit.
Ja çfarë ka dhënë Mustafa për përplasjen mes fiseve:
“…Po pas vrasjes së Fatbardhit, fisi Bajri nuk është takuar më me Lict…”-është shprehur Mustafa Lici.
Dëshmia:
“Unë kam patur një vëlla Fatbardh Lici, të cilin e kanë vrarë në vitin 2018. Për Fatbardhin dua të sqaroj se ai ka patur lidhje shoqërore dhe është frekuentuar me Behar Bajrin, madje Behari dhe Bardhi kanë fjetur në shtëpitë e njëri tjetrit, kanë qenë shokë. Pasi u vra Fatbardh Lici, dhe ne si familje kishim hapur dyert e mortit, kemi pritur disa ditë dhe na ka bërë përshtypje që asnjë nga anëtarët e fisit Bajri dhe rrethi shoqëror i tyre, Astmer Bilali e të tjerë, nuk na erdhën për ngushëllim. Mua më ka bërë shumë përshtypje sa arrita të krijoja dyshime të pabazuara në prova se fisi “Bajri” dhe familja e Astmer Bilalit mund të ishin të përfshirë në vrasjen e vëllait tim Fatbardh Lici. Pas vrasjes së Fatbardhit disa kohë më vonë, në Shkodër u hapën fjalë të cilat më vinin nga të njohur të mi, se fisi “Bajri” fliste në opinion publik duke u tallur me familjen time dhe komentuar varrimin e vëllait tim, pasi disa anëtarë të familjes time nuk erdhën në varrimin prej frikës së mos na qëllonin…”.
Sa për të birin, Ibrahimin, tha se ka pasur njohje vetëm me Astmer Bilalin. Edhe pse foli, sërish nuk ka diçka konkrete që mund të cilësohet si shkëndija për përplasjet mes këtyre fiseve kur sot më shumë se kurrë janë të vendosur mirë në zonat e tyre, sa në Kiras, në Dobraç. Tashmë gjak i ri është derdhur dhe viktima është vetëm një 23-vjeçar, i cili as nuk dihej që ekzistonte po të mos kishte dalë publikisht për të folur për vëllanë e tij. Sot diçka po e çonte drejt zonës së “minuar”, drejt Drobraçit, por kush dhe çfarë mbetet që Policia ta zbulojë!