Qeveria po bën gati një plan për pensionistët. Nga Fieri, ku zhvilloi një takim me moshën e tretë, Rama përsëriti edhe njëherë nismën e tij për deklarimet e plota të pagave. E po ashtu, në fjalën e tij iu premtoi një rritje graduale të pensioneve, e cila sipas tij do të reflektohet gjatë mandatit të katërt të socialistëve. Ndër të tjera premtoi edhe uljen e çmimit të energjisë elektrike për fashën e pensionistëve.
“Po bëjmë projeksionet për të filluar rritjen graduale të pensioneve brenda mandatit të ardhshëm. Jemi duke punuar edhe për një tjetër masë që do kërkojë kohë, që të lidhim pensionistët me rritjen ekonomike të drejtpërdrejtë. Rritja ekonomike vjetore parashikohet dhe mbi bazën e atij parashikimi ndërtohet gjithë buxheti. Dum që çdo gjë që rritet përtej parashikimeve. E parashikojmë 3.5 shkon 3.7 rritja, në çdo pjesë që rritet mbi parashikimin duam që të shkojë për pensionistët, pra çfarë del mbi parashikim. Ne e rritëm bonusin dhe e bëmë 5 mijë lekë të reja, për çdo pensionist. Tani po përgatitemi të bëjmë bonus të ri dhe të jetë më i lartë se ky që është. Ky është hapi i parë dhe i menjëhershëm dhe do jetë i përhershëm. Ulje çmimi për energjinë elektrike. Nuk duhet ta kalojmë vitin e ri, pa jua ulur qoftë edhe 1 lekë çmimin e energjisë atyre,”- tha Rama.
Gjithashtu lajmëroi se të gjithë qytetarët që kanë probleme me vitet e punës në vitet ’93-’94, duhet të rrinë të qetë, pasi do tu njihen automatikisht nga shteti pa dokumente shtesë. Nga takimi me pensionistët në Fier, kryeministri Edi Rama tha se shteti shqiptar është në diskutime me palën greke për marrëveshjen e pensioneve.
“Pensioni bazohet te sigurimet shoqërore dhe ndryshe nga pagat që financohet nga buxheti, pensioni sigurohet nga sigurimet shoqërore. Fondi i pensioneve bazohet te kapaciteti i sigurimeve shoqërore për ti përgjigjur nevojës së pensioneve. Për arsye të ndryshme historike kemi trashëguar një situatë të vështirë kur vjen puna te pensionet, ka pasur shumë shmangie nga sigurimet shoqërore. Shumë njerëz shkuan në emigracion dhe ka plot që kthehen për të kaluar këtu pensionin dhe tronditen nga masa e pensionit. Ata kanë paguar atje sigurime shoqërore, por jo këtu dhe kjo ka qenë një trashëgimi. Në gjetëm vetëm një marrëveshje kur morëm detyrën, në Turqi. Sot që flasim kemi lidhur marrëveshje me mbi 20 shtete ku marrëveshja më e vështirë ishte ajo me Italinë. Lidhja e marrëveshjes me Greqinë, për të cilën jemi në diskutime do kërkojë kohën e vet, jo për shkakun tonë, por për shkak se është një vendimmarrje e rëndësishme dhe ka peshë të caktuar financiare. Me Italinë u realizua dhe shpërblen punë e një numri shumë të madh shqiptarët që kanë dalë ose do dalin në pension në Itali,“-shtoi kreu i qeverisë.