Një nga akuzat kryesore të SPAK ndaj ish-presidentit Ilir Meta është përfitimi i një vile nga biznesmeni Samir Mane, pas ndryshimit të një ligji për minierat sipas kërkesave të tij nga çifti Meta-Kryemadhi.
SPAK ka zbardhur dhe faktuar këtë marrëdhënie, duke theksuar në dosje se “ka dyshime për një marrëdhënie korruptive” mes tyre. Ndërkohë, pasi Meta është në burg për shkak të statusit të tij si zyrtar i lartë, z. Mane nuk po hetohet, pasi vepra penale është parashkruar.
Mesazhet e shkëmbyera
SPAK ka gjetur gjithashtu mesazhe mes Monika Kryemadhit dhe Samir Manes. Fillimisht, Kryemadhi i kërkon një apartament në pallatin “Ambasador”, por më vonë bashkëshortja e tij sugjeron se “aty ka shumë njerëz dhe Iliri nuk është i qetë, më mirë te vilat”.
Pas këtij diskutimi, vendoset që Meta dhe Kryemadhi të marrin një vilë në Rolling Hills. Mane i shkruan Monikës “kur ta duash, dhe kur të duash” (në lidhje me apartamentin ose vilën).
Heqja dorë nga vila
Siç ka raportuar Korrieri, Meta heq dorë nga vila pasi mëson se ambasadori grek Oktapodas është në dijeni të dhuratës së bërë prej Samir Manes.
Megjithatë, punimet në vilë vazhduan për muaj të tërë, pasi Meta kishte kërkuar një “sauna”.
Deklaratat e Samir Manes
Në deklarimet e tij, Samir Mane thekson se nuk ka patur asnjë marrëdhënie biznesi me Monika Kryemadhin dhe Ilir Meten, dhe nuk u ka kërkuar asnjë lloj ndihme këtyre shtetasve. Në lidhje me ndryshimet e miratuara në ligjin për minierat, ai ka deklaruar se mund të ketë komunikuar me Kryemadhin për rregullimet e ligjit, në cilësinë e anëtarit të shoqatës së minierave.
Mane sqaron se ndryshimet e propozuara nga shoqata e minierave nuk kishin asnjë efekt financiar. Ai gjithashtu deklaron se shoqata e minierave mund të kishte biseduar me deputetin Rimi, lidhur me sektorin e minierave në LSI dhe se ata kishin rënë dakord për ndryshimet në ligj.
Rrëfimi i Saimir Bokës
Në një deklaratë nga Saimir Boka, ish-drejtor i kompanisë Albchrome, bëhet e ditur se kompania kishte kërkuar amendimin e ligjit në lidhje me servitutin e galerive dhe puseve vertikale. Boka shpjegon se Albchrome kishte interes për të rregulluar përgjegjësitë teknike dhe mënyrën e dhënies së servitutit, duke shmangur përgjegjësitë teknike të kërkuara nga subjektet fqinje që kalonin nëpër galerite e koncesionuara për shfrytëzim.
Takimet dhe marrëdhëniet personale
Marëdhënia mes Monika Kryemadhit dhe Samir Manes përfshin udhëtime në koncerte, takime për kafe dhe aktivitetet e tjera sociale. Një komunikim i vazhdueshëm midis tyre është evidentuar, duke përfshirë biseda për çështje të ndryshme dhe përfitime nga ana e çiftit Meta-Kryemadhi të një vile në Rolling Hills. / Korrieri