
Aurora do të festonte ditëlindjen e saj të 14-të në Nëntor, por fatkeqësisht ëndrrat e saj u prenë në mes. Më 25 Tetor 2024, në policinë e Bolonjas (Itali) u raportua se e mitura ishte hedhur nga ballkoni i ndërtesës ku jetonte. Dyshimet e para shkuan menjëherë tek i dashuri i saj, vetëm 15 vjeç, i cili aktualisht është i ndaluar nga Policia italiane. Kjo pasi dyshohet se ai mund ta ketë detyruar të miturën që të hidhet nga ballkoni dhe të ndërmarrë aktin e rëndë që t’i japte fund jetës. Ndaj edhe i riu është nën hetim për vrasje me dashje dhe është dërguar në një burg për të miturit.
Nëna e shqiptares tregoi se e bija kishte denoncuar tek shërbimet sociale sjelljen e të dashurit të saj. Sipas saj, e bija e kishte raportuar të dashurin si obsesiv dhge xheloz, ndaj edhe kishte ndërprerë marrëdhënien me të.
“Nuk është ankesë, por raport: vajza kishte folur me shërbimet sociale, asnjë ankesë nuk ishte zyrtarizuar,”-tregoi ajo.
Lorenza Dordoni, avokatja e familjes, tha për “La Presse“: Vajza nuk ishte në shtëpi por ishte nisur për të shkuar në shkollë dhe duhet të ishte në klasë në orën 8.55 të mëngjesit. Deri në momentin që ka ndodhur vetëvrasja, vajza nuk kishte shfaqur kurrë shenja dhe kurrë nuk kishte lënë që të kuptohej se donte t’i jepte fund jetës. Përkundrazi ajo bënte plane për të ardhmen.
Për ditëlindjen e saj të 14-të, pas rreth dhjetë ditësh, ajo do dilte me familjen për të festuar. Por të premten e 25 tetorit, herët në mëngjes, 13-vjeçarja u rrëzua nga pallati ku banonte teksa ishte në shoqërinë e të dashurit të saj 15-vjeçar, gjithashtu shqiptar.
I dashuri i shokuar, nuk flet me askënd
“Djali është në shok, ai nuk ka folur me askënd që kur është kthyer në shtëpi,”-kështu pretendon familja e 15-vjeçarit për gazetën Piacenza Libertà. Sipas gazetës, adoleshenti është i pikëlluar dhe se para Policisë ka mohuar çdo përgjegjësi, duke deklaruar se vajza ishte në ballkon vetëm. Ishte 15 vjeçari, ai i cili kishte kërkuar ndihmë te fqinjët në momentin e parë dhe kishte telefonuar Policinë. Sesi është e vërteta, këtë do ta zbulojë vetëm Policia dhe Prokuroria.