Anija Molivia e ngarkuar me 2100 tonelata mbetje industriale që dyshohet se përmbajnë lëndë të rrezikshme mbërriti në portin e Durrësit sot rreth orës 07:30.
Ngarkesa që besohet se përmban mbetje nga hiri i oxhaqeve metalurgjike, ishte nisur nga Shqipëria në korrik të këtij viti me destinacion Tajlandën e cila e refuzoi atë pas alarmit të dhënë nga organizata joqeveritare ‘Rrjeti i Aksionit të Bazelit’ me seli në Seattle, të Shteteve të Bashkuara.
Nuk është e qartë se si do të veprohet në këtë rast nga autoritetet shqiptare, të cilat thanë se, përsa kohë çështja është nën hetim, i takon Prokurorisë të përcaktojë procedurat që do të duhet të ndiqen.