Policia spanjolle ka arrestuar një shqiptar të shumëkërkuar për krime të rënda, i dënuar me burgim të përjetshëm në mungesë dhe që sapo kishte zbritur nga avioni, në aeroportin e Valencias.
Mediat e vendit iberik publikuan operacionin e Rojës Civile, i finalizuar tre ditë më parë (25 Tetor).
Shqiptari informohet se ishte arratisur nga Belgjika, ku kërkohej për të vuajtur dënimin me burgim të përjetshëm. Ai është kapur sapo është ulur në aeroportin e Valencias, kurse emri i tij nuk u bë i ditur.
Agjentët e Policisë Kombëtare kanë ndaluar në aeroportin e Manises (Valencia) një 43-vjeçar me origjinë shqiptare, i cili kërkohej nga autoritetet belge se kishte dhënë informacion për kryerjen e një vrasjeje në atë vend. Madje i ka ndihmuar që ta vrisnin personin kur po hynte në banesën e tij, në Belgjikë”, shkruan media “Europapress”.
Autoritetet policore shpjeguan se i kërkuari po tentonte të hynte në Spanjë me dokumente të falsifikuara. Nga verifikimi i thelluar në sistemin e kontrollit në aeroport, është zbuluar se ai ishte personi i kërkuar për krime të rënda, si përfshirja në organizatë kriminale, agresioni dhe ndihma në vrasje. Kontrolli i gjurmëve të gishtrinjve e ka tradhtuar 43-vjeçarin, që figuronte me kartelë të kuqe nga autoritetet belge.
Ngjarja për të cilën akuzohet dhe është hetuar ka ndodhur në vitin 2022. Shqiptari është izoluar në ambientet e paraburgimit, në pritje edhe të ekstradimit, teksa u njoftuan edhe autoritetet belge për procedurat.