42-vjeçari Altjon Sulejmani që tentoi të vrasë prindërit e tij të moshuar ka dalë sot para Gjykatës së Fierit. 42-vjeçari spërkati banesën me benzinë dhe i vuri flakën shtëpisë, ku brenda në të ndodheshin dy prindërit e tij të moshuar, Shaqir dhe Selfixhe Sulejmani. Dy të moshuarit u shpëtuan pasi një nga fqinjët pa në dritare të moshuarin që kërkonte ndihmë. Derisa fqinji i tyre u erdhi në ndihmë, fatmirësisht flakët nuk e kishin prekur ende dhomën e gjumit, atje ku ndodhej e moshuara, e cila prej vitesh është e paralizuar.
Mbi autorin rëndojnë tre vepra penale: “Vrasja për shkak të marrëdhënieve familjare mbetur në tentativë”, “Dhuna në familje”, dhe “Shkatërrimi i pronës me zjarr”.
Sulejmani nuk është një emër i panjohur për policinë, pasi dy vite më parë tentoi të djegë një lokal në Fier, ku fatmirësisht asnjë nuk u lëndua, por shkaktoi dëme të konsiderueshme. Trupa gjykuese përbëhet nga gjyqtarja Miranda Naka dhe avokati mbrojtës Ervis Hajdërmataj, për t’u njohur me masën e sigurisë. Bëhet me dije se autori i vuan nga probleme të shëndetit mendor ndaj nuk dihet nëse ky është një detaj që do të merret në konsideratë nga togat e zeza.
Por ngjarja e Fierit, u bë edhe më e rëndë, pasi fqinji që shpëtoi të moshuarit tha se ai u fut vetë mes flakëve për të ndihmuar çiftin, ndërsa nuk ishte ndihmuar nga zjarrfikësit që sipas tij, e kishin tallur.
“U ktheva nga puna, më thotë xhaxhi “O Romeo, ndihmë”. U futa midis zjarrit. Çfarë ke i thashë? Po më digjet shtëpia thashë. Shkova i ndihmova unë, e di gjithë lagjia. Unë shkova i nxora. U futa mes zjarrit, nuk mund të hynte shteti se kishte shumë zjarr. Unë e fika me kova uji, më ndihmuan dhe komshinjtë. Edhe kaq! Nxora një herë babanë te ballkoni, pastaj e nxora zonjën. Debatova me zjarrfikësen. I thosha “hyni brenda”, talleshin me mua” për kokë të djalit,”-tregoi i riu.
Ngjarja e rëndë ndodhi mbrëmjen e 23 tetorit, ku kati i katërt i një banese u përfshi nga flakët në lagjen “15 tetori”. Autori i ngjarjes u identifikua Altjon Sulejmani 42 vjeç, i cili u arrestua menjëherë nga policia. Ndërsa prindërit e tij rreth moshës 75 vjeç e kaluan natën në Spitalin e Fierit, nën kujdesin e mjekëve.