Një nga episodet e renditura nga Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) që çoi pas hekurave ish-Presidentin Ilir Meta është edhe çështja CEZ-DIA.
Sipas SPAK, kompania “Debt Internacional Advisory” u krijua në “Virgin Island” më 5 korrik 2010, ndrësa në Shqipëri më 4 gusht, ndërkohë që një marrëveshje me bordin e CEZ u firmos më 1 shtator. Marrëveshja nuk u miratua më 25 nëntor nga Këshilli Mbikqyrës i CEZ, që kishte kompetencën për ta bërë, por gjithsesi DIA mori 1 milion euro që atë ditë, ndërsa dhe 485 mijë euro pak më vonë. Pagesa u justifikua nga Hejsek, që kishte marrë porosinë nga Meta për Kastriot Ismailajn, si identifikim i debitorëve.
SPAK evidenton gjithashtu 700 mijë euro fatura fiktike të DIA-s të Kastriot Ismailajt. Nga këto pagesa fiktive SPAK evidenton një në drejtim të kompanisë NEREIDA, në pronësi të babait të Arjan Laçit, i cili ishte një prej bashkëthemeluesve të DIA, edhe ky një mik i hershëm i Ilir Metës. Laçi mori 320 mijë euro, ndërsa më pas rezulton edhe financues i Lëvizjes Socialiste për Integrim.
Në dosjen e SPAK shkruhet se “në lidhje me shoqërinë BTT, me ortak të vetëm shtetasin Shpëtim Shehu, e cila ka përfituar nga shoqëria DIA shumën prej 16.800.000 lekë, hetimi ka provuar se kjo shumë ka patur si përfitues fundor shoqërinë “Xhenis” sh.p.k., me ortak shtetasin Agron Çela, i cili në vitin 2013 zgjidhet deputet i Kuvendit të Republikës së Shqipërisë si përfaqësues i Partisë “Lëvizja Socialiste për Integrim”.
Mirëpo, emrin e Çelës dhe faktin që paratë shkonin në duart e deputetëve të LSI-së, e ka rrëfyer në vitin 2015, ish-ministri Dritan Prifti, tashmë i ndjerë.
Ish-ministri Prifti ngrinte akuza teksa thoshte se ka fakte se si deputetë të Lëvizjes Socialiste për Integrim kanë marrë para nga kompania DIA dhe ia kanë dhënë Ilir Metës për t’i përdorur në fushatën e vitit 2011. Ai ka përmendur edhe Agron Çelën.
“Nga llogaria e DIA-s kanë shkuar para drejtpërdrejt për persona që sot janë deputetë të LSI-së. Një prej tyre është deputeti i Shkodrës, Agron Çela. Nga DIA kanë shkuar para për kompaninë e Agron Çelës, i cili sot është deputet i LSI-së, për arsye se do të bliheshin ca makina, ca motorë që nuk u blenë kurrë, por para që kuptohet janë përdorur pastaj për fushatën zgjedhore të vitit 2011. Absolutisht. Kam dokumentet bankare të transfertave, siç do t’i ketë më vonë besoj dhe Prokuroria. Jam i gatshëm që të gjitha materialet që unë disponoj, t’ia jap si prokurorëve të huaj, edhe shqiptarëve nëse ata do ta hetojnë këtë çështje. Do ta kem të faktuar me dokumente kërkesën që më ka bërë Ilir Meta në kohën kur isha ministër i Ekonomisë, që të ndikoja te çekët të merrnin si firmë për mbledhjen e borxheve DIA. Unë këtë nuk e bëra, se ndryshe nga të tjerët e njoh mirë Ilir Metën, ai hedh gurin dhe fsheh dorën. Për këtë arsye dhashë dorëheqjen, se nuk mund të merrja përgjegjësi penale mbi veten,”- rrëfente Prifti.